Kryeministri Albin Kurti pretendon se gjatë qeverisjes së tij Kosova po lidhet me rrugë, hekurudha e tunele me vendet e rajonit.
Duket se ai e ka fjalën për disa projekte, që janë ende veç në letër. Kurti ka thënë se tashmë janë nënshkruar tri këto projekte infrastrukturore, me qeverinë e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi dhe hapat e parë drejt realizimit të tyre kanë marrë kahje e duhur.
“Me Shqipërinë po lidhemi edhe më shumë përmes hekurudhës Prishtinë-Durrës. Tetova do të jetë edhe më afër falë rrugës së re Prizren-Tetovë, që do të kalojë mes për mes malit të Vërtopit. Ndërsa banorët e Rozhajës dhe Plavës, do të mund të udhëtojnë më lehtë në drejtim të Pejës dhe Deçanit me projektet rrugore që e ndërlidhin Kosovën me Malin e Zi. Për të tri këto projekte infrastrukturore, tashmë kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me qeveritë e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi dhe hapat e parë drejt realizimit të tyre kanë marrë kahje e duhur”, ka shkruar Kurti, në një postim të mbrëmjes në Facebook.
Ndërsa ka shtuar se krahas rrugëve, po investojmë mbi 200 milionë euro për rehabilitimin e Linjës Hekurudhore 10, që do të mundësojë operimin e trenave me shpejtësi deri në 100km/orë në shumicën e seksioneve të linjës. Për krahasim, treni më i shpejtë aktualisht në operim në të njëjtën linjë është rreth 60km/orë.