Në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, Kurti ka kërkuar hetim vendor e ndërkombëtar për të qartësuar gjithçka që ndodhi me Faton Hajrizin, që nga ikja drejt Serbisë deri në vrasjen e raportuar të tij.“I ftoj qytetarët të mos bien pre e euforisë së heroizimit dhe romantizimit të Faton Hajrizi.
Patriot në Kosovë është rreshteri Afrim Bunjaku, që u vra në Banjskë të Zveçanit. Heronj janë 23 pjesëtarët e Policisë të rënë në krye të detyrës që dëshmuan përkushtimin për shërbim deri në sakrificë”, ka thënë Kurti.Kurti ka deklaruar se pas krahasimit të gishtërinjve, është vërtetuar se qytetari i vrarë është Hajrizi.“Ditëve të fundit kemi dëgjuar shumë lajme në lidhje me rastin e shtetasit Faton Hajrizi, institucionet tona janë përpjekur të transmetojnë informata zyrtare. Përmes MPJD-së, jemi informuar nga drejtoria e bashkëpunimit ndërkombëtar, se autoritetet serbe me datë 22 korrik 2024 kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi. Të njëjtat shenja bashkë me shenjat e qytetarit Faton Hajrizi janë përcjellur në forenzikë, pas krahasimit drejtoria e bashkëpunimit ndërkombëtar ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar si i vrarë.
MPB-ja dhe Policia e Kosovës kanë përcjellur me vëmendje secilën hollësi, MD dhe MPJD janë angazhuar dhe kanë informuar” – ka thënë Kurti,Shefi i ekzekutivit pati edhe kritika për Prokurorinë Speciale për intervistimin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.“Në Kosovë nuk është ngritur ende aktakuzë për Milan Radoiçiqin dhe grupit të tij terrorist, ndërsa nuk ju deshën as 10 orë që të marrin ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun për një postim në Facebook. Fuqizimi i shtetit te Kosovës kërkon kohë dhe mund, përkushtim dhe guxim, përkushtim dhe vullnet, duhet edhe një politikë e mirë. Mbi 400 mijë fëmijë do të marrin shtesat e dyfishuara e cila janë e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës”, u shpreh tutje Kurti.