Këtë të diele Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do ta mbajë Kuvendin e X (dhjetë) zgjedhor të saj.
Në këtë kongres, i cili do të mbahet në Sallën e Sporteve të Pallatit të Rinisë, duke filluar nga ora 17:00, delegatët e partisë më të vjetër në Kosovë, do të zgjedhin kryetarin e tyre me mandat të plotë 4 (katër) vjeçar.
Në garë, dhe sipas të gjitha gjasave fitues, është kryetari i tanishëm i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili gëzon mbështetjen e shumicës dërmuese të anëtarëve të kësaj partie.
Kjo u dëshmua edhe në ditët para mbledhjes së kuvendit, posaçërisht të shtunën, ku figura kyçe të LDK-së shprehën hapur mbështetjen për Adixhikun.
Për ta sfiduar Abdixhikun, ka dalur vetëm një kandidat.
Ish-deputeti, njëherit ish-anëtari i kryesisë së LDK-së – i dorëhequr së voni – Faton Bislimi, ka shpallur kandidaturën e tij për të udhëhequr partinë e dytë më të madhe opozitare në Kosovë.
Bislimi, ka thënë se një gjë të tillë po e bënë për shkak të pakënaqësive që ka me lidershipin aktual të LDK-së, posaçërisht me liderin Abdixhiku.
Pos zgjedhjes së kryetarit, LDK-ja do të shpallë edhe programin e saj “Rruga e Re”, përmes të cilit do t’ia paraqesë qytetarëve të Kosovës vizionin e saj për qeverisjen e vendit.
Në më shumë dy vjet në krye të LDK-së, suksesi më i madh i Abdixhikut dhe ekipit të tij, janë zgjedhjet lokale, të mbajtura në nëntor të vitit 2021.
Nën drejtimin e Abdixhikut, LDK kishte arritur që t’i fitonte plotë 8 komuna, përfshirë kryeqytetin, Prishtinën.
Lumir Abdixhiku ishte zgjedhur kryetar i LDK-së më 14 mars të vitit 2021, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të kësaj partie.
Këto zgjedhje në këtë parti, kishin ardhur pas dorëheqjes së Isa Mustafës – si marrje e përgjegjësisë për rezultatin e katastrofal në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.
Abdixhiku kishte arritur që në garën me Lutfi Hazirin të marrë besimin e shumicës së delegatëve të kësaj partie.
Ai kishte marrë 191 votave të 328 delegatëve të këtij kuvendi. Zgjedhja e kryetarit të LDK-së ishte bërë me vota të fshehta.
Në zgjedhjen e parë, Abdixhiku kishte mandat të shkurtër dyvjeçar, ndërsa tash kërkon mandatin e plotë katërvjeçar, si kryetar i partisë së dytë më të madhe opozitare./AP