Analisti Milaim Zeka ka komentuar mbajtjen e Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë ditën e sotme. Ai u shpreh se mbajtja e Samitit në Tiranë ka një rëndësi historike, pasi nuk ka ndodhur kurrë një aktivitet i tillë në rrafshin diplomatik.
Sa i përket marrëdhënieve mes kryeministrit Rama dhe atij të Kosovës, Albin Kurti, ai u shpreh se ky i fundit ka mbjellë urrejtje për qeverinë e Ramës. Sipas tij Kurti duhet të kuptojë se Kosovës i nevojitet Shqipëria dhe nuk ka rëndësi se kush është kryeministri.
“Ka një rëndësi historike, nuk ka ndodhur kurrë një aktivitet i tillë në rrafshin diplomatik. Shqipëria sot duhet të krenohet me pritjen që i është bërë liderëve evropianë.
Marrëdhëniet e tyre nuk janë ngrirë e as shkrirë. Me ardhjen në pushtet Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kanë mbjellë urrejtje për qeverinë e Edi Ramës.
Ne ja kemi nevojën Shqipërisë, nuk duhet të jetë e nevojshme për ne nëse është Edi Rama, apo kushdo qoftë. Duhet të respektojmë institucionin.
Për fat të keq në krye të Kosovës kanë ardhur dy politikanë me të shkuar pro-jugosllave. E shkuara e Vjosa Osmanit është e zezë. Prindërit e bashkëshortit të saj kanë qenë votues të partisë së Millosheviçit.
Në anën tjetër Albin Kurti gjithë jetën ka qenë kundër luftës dhe kundër çdo procesi që ka sjellë pavarësinë e Kosovës.
Gjithë historia e tij ka qenë kundërshtim i proceseve që kanë sjellë pavarësinë që kemi sot, ndaj nuk është faji i Ramës, por i Kurtit. Ai duhet të tregonte respekt, ashtu si Abazoviç”, u shpreh ai ndër të tjera për News24.