Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të edicionit të dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka pritur në takim kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.
Maqedonia e Veriut, sipas presidentes Osmani është shtet fqinj dhe njëkohësisht mbështetëse e Kosovës.
Presidentja Osmani tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut mund t’i shkëmbejnë përvojat në procesin e integrimit evropian dhe në të njëjtën kohë shfaqu bindjen se ky shtet do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën evropiane.
Në këtë kontekst, presidentja tha se Kosova llogaritë në përkrahjen e mëtejme të Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, sikurse edhe në NATO, BE dhe organizata ndërkombëtare.
Xhaferi i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë, të vazhdojnë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Gjithsesi që nuk me takon mua të jap konstatime për situata dh çështje të caktuara. Megjithatë si shtet, si bartës të funksionit të kryeministrit s’do mend që i përcjellim të gjitha deklarimet. Qëndrimi jonë është që dialogu duhet të vazhdoj, duhet të përmbushen marrëveshjet e arritura, qofshin ato në Ohër, qofshin ato në Bruksel. Nënkupton që obligimet janë të ndërsjella të të dy palëve. Realizmi dhe zbatimi i marrëveshjeve nënkupton më tepër paqe, siguri ne rajon. Sa i përket deklarimeve të presidentit Vuçiq mendoj që më tepër duhet të merren institucionet e Kosovës dhe të kenë konsideratë për ato deklarime dhe të bëjnë kundër veprime se sa ne të deklarohemi nga anash”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se Maqedonia e Veriut do ta mbështes Kosovën në anëtarësimin në Këshillin e Evropës, teksa thekson se Kosova dhe vendet e rajonit duhet të jenë anëtare të të gjitha organizatave ndërkombëtare.
“Ne si vend normale që në mbështetje të Republikës së Kosovës kemi bërë të gjitha udhëzimet që duhet bërë përfaqësuesit tanë në organizmat përkatëse. Konkretisht ditën e nesërme në Strasburg, delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut i ka të gjitha udhëzimet në mbështetje të iniciativës dhe votimit pro të anëtarësimit të Republikës së Kosovës. S’do mend që ne ndajmë atë mendim që vendet duhet të jenë anëtare e të gjitha organizmave ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, ka theksuar se thelbi i marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është që të dyja vendet mos ta pengojnë njëra-tjetrën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Ai ka thënë se si shtet mbështesin paanshmërinë që marrëveshjet të zbatohen konform asaj çka është edhe qëllimi përfundimtarë, njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
“Zanafilla edhe thelbi i marrëveshjeve është mos pengimi i njëri-tjetrit në tendencat, insistimin dhe nevojën për anëtarësim në organizmat ndërkombëtare. Kështu që në mbështetemi në parimet bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe nuk do mend që mbështesim paanshmërinë që marrëveshjet të zbatohen konform asaj çka është edhe qëllimi përfundimtar i të dyja vendeve të kenë njohjen reciproke mes veti dhe relaksimin e raporteve mes vete”, ka thënë ai.