Përfaqësues të vendeve kryesore perëndimore, pritet të qëndrojnë të shtunën me 21 tetor në Kosovë dhe në Serbi, në përpjekje për të ripërtërirë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, mes shqetësimeve që pasuan sulmin e 24 shtatorit ndaj policisë së Kosovës në veri të saj.
Një zëdhënës i Bashkimit Evropian tha të martën se i dërguari i posaçëm i bllokut për bisedimet Kosovë – Serbi, Mirolslav Lajçak, këshilltarët e lartë të udhëheqësve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë dhe i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, do të takohen të shtunën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
“Qëllimi i kësaj vizite është arritja e një përparimi konkret në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe shtensionimin pas zhvillimeve të fundit”, tha zëdhënësi i BE-së Peter Stano.
Ai theksoi se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë mbështetës të mëdhenj të procesit të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi dhe të ardhmes evropiane të të gjithë rajonit.
“Kemi pritje të qarta nga palët që të vazhdojnë procesin e normalizimit dhe të përmbushin pa vonesa dhe pa kushte detyrimet e tyre”, tha zëdhënësi Stano.
Kosova akuzon Serbinë për organizimin e sulmit ndaj policisë në fshatin Banjskë në veri më 24 shtator me ç’rast u vra një oficer policie dhe tre nga sulmuesit. Beogradi zyrtar mohon çfarëdo lidhjeje me grupin e armatosur që kreu sulmin përgjegjësinë për të cilin e mori Milan Radojçiç, ish nënkryetar i Listës Serbe, subjektit më të madh politik të serbëve në Kosovë./VOA