Policia e Kosovës ka kryer të shtunën bastisje në shtatë lokacione në pjesën veriore, lidhur me sulmin e armatosur ndaj Policisë në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator.
Policia ka thënë se të shtunën ka kryer bastisje në katër lokacione në Mitrovicë të Veriut, dy në Zveçan dhe një në Banjskë.
Në Mitrovicë të Veriut, përkatësisht te një podrum i lagjes “Tre Rrokaqiejt”, policia ka gjetur mjete shpërthyese, pushkë automatike dhe plumba.
“Lista preliminare e armëve dhe pajisjeve tjera të sekuestruara: 87 copë eksplozivë të tipit TM 100, 3 granata hedhës dore (zola) 1 armë automatike AK-47, 1 minë kundër këmbësorisë e tipit MRUD, 14 karikatorë, municion të kalibrave të ndryshëm, 63 detonatorë elektrikë, 23 detonatorë mekanikë, 1 orë për aktivizim, 1 granatë dore M79, 3 tuba fitila ndezës”, ka thënë Policia e Kosovës përmes një komunikate për media./REL