Në Kuvendin e Kosovës të dielën e 26 tetorit në orën 10:00 do të mbahet seanca për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës, merr vesh Radio Evropa e Lirë.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si fitues i zgjedhjeve të 9 shkurtit, ka marrë mandatin nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Megjithatë, ende është e paqartë nëse ai i ka 61 votat e nevojshme për të formuar ekzekutivin e ri.
Më 21 tetor, Kurti la të kuptohet se LVV-ja mund të dështojë në formimin e ekzuekutivit, duke u shprehur se “siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”.
“Nuk është kollaj, se, s’di se si t’jua shpjegoj, ndoshta e keni dëgjuar edhe ju vetë, është intoksikuar atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inati e cinizëm shumë më shumë sesa ide, punë e pasion. Por, jemi ku jemi dhe do të përpiqemi ta bëjmë Qeverinë. Por, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”, tha Kurti.
Osmani e mandatoi Kurtin për formimin e Qeverisë më 11 tetor dhe ai ka afat deri më 26 tetor që të paraqesë para Kuvendit përbërjen e re qeveritare dhe të kërkojë mbështetje për të.
LVV-ja ka 48 deputetë në Kuvendin prej 120 ulësesh. Nga kjo parti më herët kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit për formimin e Qeverisë me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Listës Serbe.
PDK-ja i ka 24 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 20 deputetë dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma ka tetë ulëse në Kuvend.
Komuniteti serb ka dhjetë vende të garantuara në Kuvendin e Kosovës – nëntë prej të cilave i fitoi Lista Serbe, ndërsa një vend e fitoi Nenad Rashiq nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Dhjetë vende të tjera parlamentare janë të rezervuara për komunitetet e tjera minoritare.
Çka nëse Kurti s’arrin ta bëjë Qeverinë të dielën?
Në rast se LVV-ja nuk arrin t’i mbledhë 61 vota, presidentja Osmani ka detyrën brenda dhjetë ditësh t’i ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për mandatarin që ka shanset më të mëdha për të formuar Qeverinë.
Nëse as pas përpjekjes së dytë Qeveria nuk mund të formohet, presidentja Osmani, sipas Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 40 ditësh.




