spot_imgspot_img
spot_img

Shkrimtari më i madh shqiptar, Kadare, ndërroi jetë në QSUT

Shkrimtari më i madh shqiptar, Ismail Kadare është ndarë mëngjesin e sotëm nga jeta në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”

Burime pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë njoftuan, po ashtu, se Kadare “pësoi arrest kardio-respirator”.

Kadare lindi në vitin 1936 në Gjirokastër – një qytet i vogël në malet e jugut të Shqipërisë.

Qyteti i tij, për të cilin shkroi romanin “Kronikë në Gur”, bën pjesë në trashëgiminë botërore që mbron UNESCO-ja.

Tridhjetë vjet të karrierës së shkrimtarit, Kadare i jetoi në Shqipërinë komuniste, ku edhe shkroi kryeveprat: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Prilli i thyer”, “Dimri i madh” e “Ura me tri harqe”.

“Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, gazeta amerikane Boston Globe e përshkroi si “roman të fuqishëm dhe prekës”.
Ai, gjithashtu, hyri në 100 librat e shekullit të gazetës Le Monde.

Bën fjalë për historinë e një gjenerali italian, i cili shkon në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore për të marrë trupat e ushtarëve italianë.

Kadare është “një nga romancierët më bindës që shkruan në çdo gjuhë”, shkroi Wall Street Journal për të.

Viti 2009: Kadare gjatë një vizite në Prishtinë, ku takoi presidentin e atëhershëm të Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Librat e tij tashmë janë përkthyer në më shumë se 45 gjuhë të botës.

Shumë prej tyre kanë qenë të ndaluar në Shqipërinë komuniste – ndër to edhe “Pallati i ëndrrave”, ku Kadare shtjellon marrëdhënien pushtet-individ.

Në një intervistë për gazetën Financial Times në vitin 2010, Kadare tha se është më së shumti krenar për këtë vepër.

“Është shkruar në vitin 1980 dhe është botuar një vit më vonë, gjatë periudhës më të zezë të tiranisë shqiptare. Ishte një libër kundër asaj tiranie”, tha Kadare.

Për vitet e diktaturës shkroi edhe në veprat: “Piramida” e “Koncerti”.

Kadare emigroi në Francë në vitin 1990, pasi bëri deklarata në favor të demokratizimit.

Në vitin 1996 u bë anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale dhe Politike.

Më 1998, kur edhe nisi lufta në Kosovë, Kadare publikoi librin “Tri ditë zie për Kosovën”.

Aty rrëfeu betejën e Kosovës më 1389, në të cilën disa mbretëri ballkanike i kanë bashkuar forcat kundër turqve dhe kanë humbur.

Kadare fitoi disa çmime ndërkombëtare. Me vite, u përmend edhe si pretendent i mundshëm për Çmimin Nobel për Letërsinë.

Vitin e kaluar, presidenti francez, Emmanuel Macron, i dha titullin “Oficeri i Madh i Legjionit të Nderit” gjatë një vizite që bëri në Tiranë.

Në dekadat e fundit, Kadare jetoi dhe shkroi midis Parisit e Tiranës.

“Në Paris, unë gjithmonë punoj në të njëjtën kafene. Në Tiranë kjo është e pamundur, për shkak të kuriozitetit të njerëzve”, tha Kadare për Financial Times.

“I gjithë populli shqiptar në zi”

Duke reaguar pas lajmit për vdekjen e Kadaresë, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se “Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne”.

“Të qoftë e lehtë lëndina në panteonin e përjetësisë, Kolosi ynë i mendimit dhe i penës”, shkroi Begaj në Facebook.

Kadare e ngriti letërsinë dhe kulturën shqiptare “në majat e letërisë, kulturës dhe qytetërimit botëror”, tha kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.

“Me veprën që krijoi, Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar më i madh i të gjitha kohërave, u ngrit në Olimpin e letrave shqipe”, tha ajo.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se “populli i Kosovës, sikur i gjithë populli shqiptar, sot është në zi”.

“Ai humbi kolosin e dijetarin më të njohur shqiptar, humbi mbështetësin e pandalshëm të së drejtës së popullit shqiptar në Kosovë për të jetuar i lirë e i mosvarmë, e promovuesin e pandalshëm të kësaj të drejte gjithandej botës”, tha Osmani për Kadarenë, të cilit kohë më parë i dorëzoi edhe shtetësinë e Kosovës.

Për kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, “letërsia shqipe humbi një nga kolosët e saj më të veçantë, ndërsa kultura shqiptare mbeti pa ambasadorin e vet më të shquar”.

Veprat e Kadaresë

Nga veprat e tij më të njohura mund të veçojmë “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” dhe poezinë tashmë aq të famshme “Mall”. Veprat e tij të famshme si “Pallati i ëndrrave” i shpëtuan nën hundë çensurës komuniste duke edhe e kritikuar atë shpesh.

Kadare ka qenë shpeshherë çështje debati në opinionin publik sepse shumë zëra shpreheshin se ai dhe i ka bërë temena diktaturës. Kjo është e pavërtetë. Kadare futi një zë të ri në letërsinë shqipe, mjaft të kujtojmë “Uragani i ndërprerë”, monografinë e tij për Migjenin. Madje dhe letërkëmbimet e tij dhe librat me intervista (Ftesë në studio) apo “Nga një dhjetor në tjetrin” kanë vlerë të madhe arkivore.

Kadare ishte një person që vulgut i ndenji larg dhe nuk i bëri duart pis me të. Komunizmi as nuk e njëtrajtësoi si njeri dhe nuk e bëri konformist.

Qyteti për të cilin ai kishte dobësi, Parisi, ose “qyteti i dritës” siç e quan ai te libri për piktorin Omer Kaleshi (Arti si mëkat) përvijoi gjithë jetën dhe veprën e tij (Hija). I krahasuar shpeshherë me Fishtën dhe Konicën, Kadare është një zë shumë i veçantë dhe i papërsëritshëm.

Humbja e tij është dhimbje e madhe për të gjithë shqiptarët. Ai la pas dy vajzat, Besianën dhe Gresën dhe të shoqen Helena Kadare.

Në vitin 1992, Kadare u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca. Në vitin 2005 fitoi çmimin “Man Booker Prize” i nominuar krahas nobelistëve Günter Grass, Garbiel Garcia Marquez, Kenzabu Oe etj. Kryetari i jurisë e arsyetoi vendimin për t’i dhënë çmimin Kadaresë me fjalët: “Ismail Kadare është një shkrimtar që hedh në hartë një kulturë të tërë: historinë e saj, dëshirën, folklorin, politikën, fatkeqësitë”.

Ai është një shkrimtar universal me traditë rrëfimi që shkon deri tek “Homeri”. Në vitin 2009, u nderua me çmimin spanjoll Princi i Asturias për Artet, çmimi më i rëndësishëm letrar në vendet spanjolle dhe një nga çmimet letrare më prestigjoze në botë. Në vitin 2010 Ismail Kadare nderohet në Itali me çmimin Lerici Pea.

Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. U bë anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Kosovës dhe nga viti 2018 anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Malit të Zi.

Ismail Kadare është dekoruar nga institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”. Me studimin e veprës së Kadaresë janë marrë autorë të huaj në gjuhët amtare gjegjëse si Eric Faye dhe Jean-Paul Champseix në frëngjisht, Piet de Moor në hollandisht, Peter Morgan në anglisht, Bernardo Joffily në portugalisht, Jose Carlos Rodrigo Breto në spanjisht dhe Ece Dillioğlu në turqisht.

Mirënjohjet ndërkombëtare:

Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit, Kosovë;

“Prix mondial Cino Del Duca”, Francë, 1992;

Çmimi “Bokaçio” Itali,1997;

“Herder Prize”, Gjermani, 1998;

“Ovid Prize”, Rumani, 2003;

Çmimi Man Booker International, Britani, 2005;

“Princi i Asturias” për Letërsinë, Spanjë, 2009;

Çmimi “Lerici Pea”, Itali, 2010;

Çmimi “Jeruzalem”, Izrael, 2015;

“Commandeur de la Légion d’Honneur” (C. LH), Francë, 2016;

Çmimi “Letërsia shqipe”, Kosovë, 2017;

Çmimi “Nonino”, Itali, 2018;

Çmimi i karrierës akademike, nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2018;

Çmimi “Park Kyong-ni”, Korea e Jugut, 2019;

“Neustadt International Prize”, SHBA, 2020;

“Prozart”, Maqedoni e Veriut, 2020.

Kush është Ismail Kadare?

Kadare (lindur në Gjirokastër, më 1936) është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë. Si shkrimtar shquhet kryesisht për prozë, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe ese. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar.

Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; më 2005 fitoi Man Booker International Prize, më 2009 çmimin “Prince of Asturias Awards” për Artet, kurse në vitin 2015 Çmimin Jeruzalem, e më 2016 presidenti francez ia ndau titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”. Viteve të fundit, ai e ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.

Kadare njihet si shkrimtar i cili në veprat e tij në mënyrë të qëllimshme u shmang nga realizmi socialist, dhe si i tillë veprat e tij u përkthyen dhe u lavdëruan nga kritikët dhe lexuesit anembanë botës. Ai krijoi një vepër me karakter universal por që rrënjët i ka thellë në tokën shqiptare. Kadare konsiderohet nga disa si një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të shquar evropianë të shekullit të 20-të, si dhe një zë universal kundër totalitarizmit.

Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca. Në vitin 2005 fitoi çmimin “Man Booker International Prize” ku kishte qenë i nominuar bashkë me shkrimtarë të tjerë të mëdhenj, duke përfshirë nobelistë si Günter Grass, Garbiel Garcia Marquez, Kenzaburo Oe etj. Kryetari i jurisë e arsyetoi vendimin për t’i dhënë çmimin Kadaresë me fjalët: “Ismail Kadare është një shkrimtar që hedh në hartë një kulturë të tërë: historinë e saj, dëshirën, folklorin, politikën, fatkeqësitë. Ai është një shkrimtar universal me traditë rrëfimi që shkon deri tek Homeri”. Në vitin 2009 u nderua me çmimin spanjoll Princi i Asturias për Artet – çmimi më i rëndësishëm letrar në vendet spanjolle, dhe një nga çmimet letrare më prestigjoze në botë. Në vitin 2010 Ismail Kadare nderohet në Itali me çmimin Lerici Pea. “Dhënia e çmimit Lerici Pea 2010 autorit Kadare – shkruhet në motivimin e çmimit – nënkupton rolin e poezisë dhe letërsisë si instrument lirie, duke u bërë mbështetje për të gjithë njerëzit e botës, të cilëve iu mohohen liritë themelore”.

Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Ismail Kadare është dekoruar nga institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.

Me studimin e veprës së Kadaresë janë marrë autorë të shteteve të ndryshme, të cilët kanë botuar vepra dhe studime për të në gjuhët e tyre amtare: Eric Faye dhe Jean-Paul Champseix (frëngjisht), Piet de Moor (hollandisht), Peter Morgan (anglisht), Jose Carlos Rodrigo Breto (spanjisht). Ky i fundit e ka vlerësuar si një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe shkrimtarin më të rëndësishëm të shekullit XXI.

Op/Ed

Moratoriumi është një fitore politike e koalicionit “Vlen” në qeverinë e Maqedonisë së Veriut

Nga Astrit Gashi Moratoriumi për çështjet etnike, i propozuar...

Nga konferenca për Integrimin e Ballkanit dhe vendeve kandidate në Bashkimin Evropian (BE), siguria në BE

Hisen Berisha / Budapest Në kuadër të konferencës ndër-parlamentare për...

NËNA TEREZE U ANGAZHUA QË NJERIU TË MOS I NGJAJË NJË SKELETI TË ZHVESHUR NGA NDJESIA NJERËZORE

NËNA TEREZE U ANGAZHUA QË NJERIU TË MOS I...

Abonohu

Të sponsorizuara

Bakllava i ndihmon burrat që të jenë më të mirë në seks

Derisa burrat fillojnë të plaken, është e domosdoshme që...

8 arsye pse nuk jeni të lumtur në punë

Puna duket se nuk po ju ecën edhe aq...

Spanja ”pushton” Shqiperinë, gjiganti turistik parashikon rritje me 500%

Shqipëria do të jetë një nga destinacionet e huaja...
spot_img

NUK E KEMI NDËRMEND TË NDALEM

Mexhiti: Lufta me perandorinë e bixhozit është e vështirë, por ne nuk e kemi ndërmend të ndalemi! Mbyllja e kazinove sipas zëvendëskryeministrit të par Izet...

Diego Simeone kritikon Courtoisin

Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone ka përmendur sjelljen e Thibaut Courtois mes skenave kaotike që u shkaktuan mbrëmë (e diel) në ‘Estadio Metropolitano’. ‘Los...

ZPS për dëshmitarin e 92-të: Ka qenë i ndaluar dhe keqtrajtuar nga UÇK-ja

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 92-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar i cili ka...