Prokuroria e Posaçme (SPAK) i është drejtuar me një kërkesë Kuvendit ku i ka kërkuar autorizim për vendosjen e masës së sigurisë “arrest shtëpie” në lidhje me dosjen e ish kompleksit “Partizani”.
SPAK-u i ka caktuar liderit demokrat masën e sigurisë “detyrim paraqitje” si dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit”. Megjithatë Sali Berisha ka refuzuar që të parqaqitet në Gjykatë, për këtë shkak SPAK ka kërkuar shtrëngimin e masës së sigurisë në “arrest shtëpi”.
Berisha ka deklaruar se nuk do refuzonte kurrë të shkonte në Gjykatë, por jo në rastet kur shkelet Kushtetuta. Sipas Berishës, GJKKO ka shkelur Kushtetun, duke qenë se nuk kërkoi autorizimin nga Kuvendi për vendosjen e masës së sigurisë “detyrim paraqitje” ndaj tij dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit” duke i bllokuar pasaportën.
Berisha akuzohet nga SPAK për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të larte shteterore ose te zgjedhurve vendore, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25i Kodit Penal.
Ish-kryeministri i ka konsideruar akuzat ndaj tij dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, si sulm politik, pasi sipas tij, nuk ka asnjë fakt dhe dokument që të ngrihen dyshimet mbi akuzat.
Sipas SPAK-ut, Berisha në kohën kur ka qenë kryeministër ka vendosur në funksion të interesave të dhëndrit të tij bazën ligjore, si edhe ka ushtruar presion mbi vartësit për të nxitur plotësimin sa më të shpejtë të procedurave të kthimit të pronës dhe privatizimit të godinave të degraduara të ish-klubit sportiv “Partizani”. Ndërsa, për Jamarbër Malltezin dhe ndërtuesin Fatmir Bektashi, SPAK-u deklaron se ata kanë përfituar shuma të mëdha financiare nga tjetërsimi i truallit në ndërtime të larta.
Hetimi 3-vjeçar i SPAK-ut, i zbardhur në vendim 200 faqësh të Gjykatës së Posaçme, i ngjan një manekimi të parafabrikuar, për të cilin prokurorja ka përzgjedhur se cilat rroba i shkojnë më mirë.
Hetimi i ndërtuar nga SPAK-u për rastin “kompleksi Partizani” mund të përbëjë një rast tipik të përdorimit politik të prokurorisë kundër opozitës. Ose, në të kundërt, nëse kjo është vërtetë qasja e këtij institucioni për të luftuar korrupsionin në nivele të larta, atëherë standarti hetimor i “Partizanit” do të duhet të vendosë pas hekurave thuajse të gjithë kryeministrat shqiptarë të kohës së pluralizimit, përfshirë edhe aktualin, Edi Rama, i akuzuar publikisht dhe gjerësisht për miratimin e “ligjeve me porosi”.