Ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, janë bërë ndryshime të kushteve të paraburgimit. Trupi Gjykues ka vendosur masa të përkohshme duke kufizuar komunikimin dhe vizitat për ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, ish-kreun e Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli dhe ish-deputetin Rexhep Selimi.
Në njoftimin e publikuar në faqen e Dhomave të Specializuara, vlerësohet se Trupi Gjykues ka vendosur se këto kufizime janë të përshtatshme, “duke pasur parasysh rrezikun e nxjerrjes së paligjshme të informacionit konfidencial nga objekti i paraburgimit”.
Këto kufizime do të jenë në fuqi përkohësisht, deri në momentin kur Trupi Gjykues të lëshojë vendimin e plotë në lidhje me themelësinë e kërkesës ZPS-së, thuhet në njoftim.
Gazeta Express gjatë ditës raportoi se Prokurorja amerikane, Kimberly West, e cila tashmë udhëheq me Prokurorinë Speciale të Hagës pas largimit të Jack Smith, ka kërkuar ndryshime thelbësore të kushteve të paraburgimit për ish-presidentin Hashim Thaçi, Kadri Veselin e Rexhep Selimin.
Në një dokument të publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara, Prokuroria e Hagës pretendon se të tre, Thaçi, Veseli dhe Rexhep Selimi kanë thyer rregullat e Panelit të Gjyqtarëve duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur apo duke shpërndarë përmbajtje të dëshmive konfidenciale të personave që i kanë vizituar ata në Qendrën e Ndalimit.
Prokuroria Speciale e Hagës zbulon se ka bërë edhe hetim për këtë gjë dhe ka gjetur se ka pasur përpjekje të tjera “për të penguar procedurat, duke përfshirë lëshimin e udhëzimeve se si dëshmitarët duhet të dëshmojnë dhe planifikimi i qasjes ndaj dëshmitarëve”, shkruan Gazeta Express.
Për këto arsye, Prokurorja Kimberly West ka kërkuar që në baza të përkohshme të ndahen të tre të akuzuarit dhe që të pezullohen të gjitha komunikimet e jashtme jo të privilegjuara, përfshirë vizitat qoftë në person apo përmes “Zoom”. Gjithashtu këtu përfshihen edhe telefonatat dhe komunikimet me shkrim dhe dërgesat dhe pranimet, derisa paneli të vendos për këtë çështje./express