Brukseli dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor diskutuan në Shkup për përfitimet e Planit të BE-së për zhvillimin e rajonit. Ky plan do të kushtojë gjashtë miliardë euro. Nga këto, 4 miliardë janë kredi dhe 2 miliardë janë grante të pakthyeshme. Fondet nga plani do të jenë të disponueshme pasi vendet të zbatojnë disa reforma. Megjithatë, fokusi është thjeshtimi i procedurave ndërmjet vendeve të Ballkanit, veçanërisht në ekonomi, të cilat do t’i bashkoheshin tregut të brendshëm evropian në të ardhmen përmes krijimit të një tregu të përbashkët. Përfaqësuesit e lartë të BE-së dhe SHBA-së kërkuan realizimin e kësaj ideje, që shtetet të mos vendosin veto mes vete sepse në të kundërtën nuk do të kenë asnjë përfitim.
“Ne kemi vendosur kusht në këtë plan të zhvillimit, nuk duhet të bllokoni fqinjët tuaj. Ne duam që të bashkoheni me ne ndërsa kështu mund të bllokoni vetëm veten. Mos i bllokoni fqinjët tuaj dhe do të bashkoheni me ne, por nëse bllokoni, hyrja juaj në tregun e brendshëm nuk do të ndodhë”, tha Gert Jan Kopmann- drejtoria për zgjerim në KE.
“Në këtë proces askush nuk do të vendosë veto. Secili vend do të punojë veçmas, por askush nuk do ta bllokojë procesin sepse ka çështje dypalëshe të pazgjidhur. Kushdo që përpiqet ta bëjë këtë, do t’i vuajë pasojat”, deklaroi Xhejms O’Brajn– Ndihmës- sekretari shtetëror i SHBA-së për çështje evropiane.
Të gjithë liderët e pranishëm në takim mirëpritën idetë, veçanërisht ato për tarifa më të ulëta gjatë transferimit të parave nga BE-ja në Ballkanin Perëndimor si dhe synimin që transportuesit e mallrave nga rajoni të përdorin të ashtuquajturat “shirita të gjelbër” për transferim më të shpejtë të mallrave në vendet e Unionit. Ndërkohë kryeministri i Kosovës Albin Kurti theksoi se liria e mallrave nuk duhet të shndërrohet në sponsorizim të sulmeve terroristeve.
“Integrimi i forcuar dhe rritja e fluksit të mallrave dhe njerëzve kërkon besim të ndërsjellë dhe normalizim të marrëdhënieve ndërmjet vendeve tona, institucioneve dhe njerëzve. Kjo nuk mund të ndodhë nëse liria e qarkullimit përdoret për qarkullimin e armëve dhe municioneve ose për të sponsorizuar sulme terroriste“, u shpreh Albin Kurti – Kryeministër i Kosovës.
Ndërkohë presidenti serb theksoi se nuk beson se dikush do të ndërmarrë veprime kundër dikujt.
“Unë nuk besoj se do të kemi ndonjë lloj problemi politik, dikush që do të ndalojë dikë apo dikush të ndërmarrë veprime kundër dikujt”, tha Aleksandar Vuçiq– president i Serbisë.
Organizatori, kryeministri Dimitar Kovaçevski theksoi se Plani i rritjes hap rrugën drejt tregut të vetëm evropian, drejt prosperitetit dhe, siç shtoi ai, anëtarësimit të plotë në BE deri në vitin 2030. Nga ana tjetër, kryeministri shqiptar Edi Rama tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i vendosin në plan të parë nevojat e qytetarëve të tyre dhe të lënë anash politikën dhe historinë, në mënyrë që të përfitojnë nga mundësia për të hyrë në tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian. /Alsat.mk