Ditari i Asllanit u kërkua që të ketë vend edhe në sirtarët e bibliotekave shkollore.
Në emër të familjes, Ramadan Selimi falënderoi të gjithë ata që kanë ndihmuar në promovimin e këtij libri.
“Në emër të Asllanit, në emër të bashkëshortes së Asllanit, Ilires, në emër të Drenit, djalit të Asllanit, të ju falënderojë për pjesëmarrjen kaq masive që me të vërtetë ne si familjarë po ndihemi shumë krenar. Mirëpo, një falënderim shumë të veçantë kisha pasur dëshirë të ju jap edhe panelistëve këtu dhe gjithë atyre që përgatiten këtë libër që nuk janë pak….Në emër të vëllait, Rexhepit që sot padrejtësisht është në Hagë bashkë me shokë të tij ju përshëndes dhe falënderojë shumë”, tha ai.
Ish-i burgosuri politik, Hydajet Hyseni, lexoi një letër të dërguar nga kryeministri Albin Kurti, në të cilën u tha se më shumë se kurrë nevojitet ky format i librit për të dëshmuar të vërtetën mbi vuajtjet dhe sakrificat e idealistëve.
“Libri ‘Tmerri ka emër’ i autorit, të ish-burgosurit politik dhe të mbijetuarit të masakrës së Dubravës, Asllan Selimi është dëshmi autentike e radhës e cila na rikthen memorien tonë kolektive të atyre viteve që nuk guxojnë të harrohen. Përmes këtij libri, shoku ynë i burgjeve Asllan Selimi sjell përjetimet jo vetëm të tij, por të gjithë të burgosurve të shumtë që patën fatin të përjetojnë ankthet e tmerrit në burgjet serbe. Libri është edhe një kontribut i çmuar në dokumentimin, madje në hollësi e ekzekutimeve masive dhe gjenocidale të të burgosurve shqiptarë në burgun e Dubravës, torturat dhe keqtrajtimet e të burgosurve shqiptarë si dhe shpirtit liridashës të të burgosurve politik që nuk thyhej dhe nuk dorëzohej para mizorive të shumta të ushtruara gjithandej në burgjet serbe”, u tha në letrën e Kurtit.
Edhe ish i burgosuri politik, Nait Hasani, tha se Asllani në librin e tij ka përshkruar torturat çnjerëzore dhe sakrificën e qëndresën e pathyeshme të shqiptarëve.
“Të kesh në dorë librin “Tmerri ka emër” me kujtimet e ngjarjeve më të rëndësishme të kohës, që i ka përjetuar Asllani dhe që këtij populli i kanë dhënë shpresë dhe gjallëri me motivin për të qëndruar, rezistuar për mbijetesë. Ku nga të gjitha anët kishin humbur shpresat nga ngjarjet që kishin kapluar Jugosllavinë dhe rinia nuk kishte shpresë, për të qëndruar dhe kërkonte si të dal jashtë duke i ikur dhunës sistematike të pushtuesit policor e ushtarak të Serbisë dhe bandave kriminale para-ushtarake në Kosovë. Në këtë libër me kujtime, Asllani na ka përshkruar gjendjen e tij që nga arrestimi i tij në Mitrovicë e deri aty ku ju ndërprerë shkrimi si shkak i fatkeqësisë së ndodhur. Asllani, inxhinier në Mitrovicë, që në fillet e para të organizimit të UÇK-së ishte angazhuar në fillim me detyrat e ndërlidhjes mes shtabit operativ dhe shtabit qendror në zonën e Drenicës, përmes vëllait të tij, Rexhep Selimi”, tha ai.
Gjenerali Kudusi Lama theksoi se është i befasuar me përshkrimin që ka bërë Asllani në këtë libër.
“Ajo çfarë më befasuan, edhe kur dëshiron të flas për madhështinë e nënës shqiptare, edhe pse mendjen e ka te nëna e tij, ai përshkruan nënën e një luftëtari tjetër. Atij luftëtari që kishte marrë gjashtë plumba dhe që e ëma i bënte përherë plagët. Pra, janë madhështitë që na i sjell dhe janë modeli se si ne duhet ta përshkruajmë dhe ta ndërtojmë atë çfarë tregojmë për përjetimet dhe atë çfarë duam. Atje ai i madhështon të gjithë ata bashkë-vuajtjes, bashkëluftëtarët, bashkëveprimtarë dhe realisht luftëtarë sepse edhe në burgjet e Serbisë është zhvilluar luftë…Unë në procesin e leximit të librit, shumë herë e kam gjetur vetën me rrahje të shpeshta të zemrës, është e jashtëzakonshme”, tha ai.
Ndërsa redaktori i këtij libri, Lan Qyqalla, tha se ky libër duhet të ketë vend në sirtarët e bibliotekave të shkollave.
“Është një ditar që është shkruar me vuajtje, tortura, maltretime, thyerje të gjymtyrëve të atdhetarëve shqiptarë nga pushtuesi serb. Ditari që është shkruar në dorën e pushkës e idealin e lirisë. Ky ditar duhet ruajtur në memorien tonë historike, letrare, artistike e kombëtare….Ne deri më sot e kishim obligative të lexonim ditarin e Ana Frankut, që ishte një ditar i shkruar në kohën e Luftës së Dytë Botërore, pse ne sot të mos e mësojmë fëmijët tanë, nxënësit dhe studentët tanë ditarin e të burgosurit shqiptar, që është simbol i të gjithë burgosurve shqiptarë. Pse ky ditar të mos mbetet vetëm me një përurim libri dhe të futet e të arkivohet në Biblotekën Kombëtare të Kosovës”, theksoi ai.
Libri “Tmerri ka emër” është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.