Ashtu siç ishte parashikuar, seanca plenare e kësaj të Enjteje nuk u zhvillua në kushte normale. Njësoj si herën e fundit, të gjitha projektligjet e parashikuara u hodhën për votim, por nuk pati diskutime konstruktive.
Fillimisht deputetët opozitarë grumbulluan karriget te foltorja e më pas ndezën tymuese. Në mes të kaosit, mazhoranca rrëzoi me 75 vota kundër 6 projektligjet e Partisë Demokratike.
Duke u kollitur deri në momentet e fundit, kryeparlamentarja e mbylli seancën pas rreth 20 minutash.
–Foto nga seanca e sotme:
–10:37 – Berisha: Do luftojmë në Parlament deri në rikthimin e të drejtave tona
Edhe seanca e kësaj të enjteje zgjati vetëm 20 minuta. Opozita e bllokoi sërish foltoren me karrige dhe sërish salla u mbush me tym, nga tymueset e lëshuara nga deputetët demokratë. Pas përfundimit të seancës, në një prononcim për gazetarët, kryedemokrati Sali Berisha tha opozita është e vendosur të luftojë në parlament deri në rikthimin e të drejtave të saj.
“Ky është funksionimi i parlamentit të Edi Ramës dhe Lindës së tij në parlament. Ky është turpi i Shqipërisë, Europës dhe çdo vendi të lirë. Përsëri kanë tmerr nga të drejtat kushtetuese të opozitës. Përsëri mbrojnë pasuritë e tyre të vjedhura me pushtetin e Edi Ramës, përsëri mbrojnë Edi Ramën, përsëri vazhdon kolapsi i plotë dhe asgjësimi i pluralizmit në parlament. Qytetarë dhe qytetare, ne vazhdojmë me vendosmëri, por kërkojmë solidaritetin tuaj, mbështetjen tuaj vendimtare për triumfin e pluralizmit, demokracisë, për largimin e narkoditaturës nga Shqipëria.
“Kur shkelet Kushtetuta, nuk ka parlament. Që një parlament të funksionojë duhet të zbatohen rregullat kushtetuese. Parlamenti funksionon mbi bazën e pluralitetit, mbi të drejtat kushtetuese. Ne do luftojnë në parlament deri në rikthimin e të drejtave tona. Gjersa të krijohen komisionet parlamentare, derisa Rama, të paraqitet. Ka Kushtetutë para ligjeve, Kushtetuta është ligji suprem i një vendi”, tha Berisha mes të tjerash.
– Kaosi në parlament, Balla-deputetëve të opozitës: Mos u keqpërdoni nga interesi i një personi
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, gjatë seancës plenare i bëri thirrje deputetëve të opozitës që të mos keqpërdoren nga interesi i një personi.
“Thirrja ime ndaj pjesës më të madhe të deputetëve që janë në krahun e djathtë të kësaj salle. Mos u keqpërdorni nga interesi dhe halli personal i një njeriu të vetëm. Ky njeri e ka marrë peng PD prej 31 vjetësh.
Është e rëndë që deputetë të opozitës, të përdoren për interesin personal të një individi. Nuk kam asnjë keqardhje për individin. Keqardhja ime më e madhe është imazhi i keq që doni t’i bëni Kuvendit të Shqipërisë. Shqipëria sot mbylli Tetorin me 9 mln vizitorë turistë dhe ne presim që deri në dhjetor Shqipëria të ketë plot 10 mln turistë. Ai njeriu është munduar të dëmtojë imazhin e Shqipërisë. Harroni ju që Shqipëria të kthehet më pas. Shqipëria e ka marrë vendimin e vet, vetëm përpara, jo më mbrapa”, tha Balla.
Sa i përket kërkesës së opozitës për komisionet parlamentare, Balla i kërkoi që ta dërgojnë ankesën në Gjykatë Kushtetuese. Ministri tha se Gjykata Kushtetuese ua ka rrëzuar kërkesat e mëparshme. Sipas tij, nëse Gjykata vendos se atyre u është mohuar e drejta, mazhoranca është dakord.
“Keni harruar që gjykata kushtetuese ua ka rrëzuar kërkesat. Shkoni çoni kërkesën në Gjykatë Kushtetuese dhe në rast se Gjykata Kushtetuese do të vendosë se u është mohuar e drejta jam plotësisht dakord. Mos harroni që detyra e Kuvendit është pikë së pari zbatimi i Kushtetutës, së dyti zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ne nuk i vemë kurrë në dyshim vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Balla.
Sa i përket vendosjes së tymueseve në seancë, Balla tha se ajo është vepër penale.
“Vendosja e flakadanëve, e lëndëve kimike në salla të mbyllura dhe salla të hapura po të doni është vepër penale”.
Edhe seanca e sotme plenare u shënua nga kaosi. Deputetët e mazhorancës bllokuan foltoren dhe hodhën tymuese. Për këtë arsye kryeparlamentarja Lindita Nikolla përjashtoi deputetin Saimir Korreshi.
– E mori nga çanta e deputetes, Korreshi ndez tymuese në sallën e Kuvendit
Teksa kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla nisi fjalën e saj në kushte jo normale të seancës, deputetët e opozitës kanë ndezur sërish tymuese. Pikërisht për këtë arsye, Nikolla komunikoi përjashtimin e deputetit të PD Saimir Korreshi.
“Ju përjashtoj, lironi sallën zoti Korreshi. Garda ju lutem hiqni flakadanët!”, tha Nikolla.
Shihni momentin kur Korreshi e merr tymuesen nga çanta e deputetes. (Minuta 13:55 e videos)
Edhe pse salla u mbush me tym, Nikolla i dha fjalën ministrit të Ekonomisë Ervin Meta, sa i takon marrëveshjes së nënshkruar mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët.
Përveç tymueses, deputetët e opozitës kanë bërë grumbull karriget tek foltorja.
– “Pusho, mos bëni zhurmë!”, Berisha i drejton gishtin Ballës: Ky është hajduti, krimineli…
Ashtu siç u sinjalizua më herët, kjo e Enjte nuk do ketë zhvillim normal të seancës plenare. Deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren me karrige, ndërkohë që kryedemokrati Sali Berisha po mban fjalën përmes një lidhjeje direkte në Facebook-un e tij.
Ndërsa gardistët janë rreshtuar para ulëseve të ministrave, Berisha u thotë këtyre të fundit të mos bëjnë zhurmë ndërsa ai flet.
“Nëse s’dëgjoni, zhurmë mos bëni. Sigurisht që mbështesni verbërisht kreun e organizatës kriminale, për ju nuk ekzistojnë zgjedhësit, por vetëm Edi Rama. Prandaj, mos bëni zhurmë, dëgjoni! Kambanat bien për ju, ta keni të qartë, kjo është situata në Parlament”, iu drejtua Berisha palës mazhoritare.
Më tej, ish-kryeministri u shpreh me bindje se opozita do të bëjë çmos për realizimin e komisioneve hetimore sipas ligjit. Ai nuk i kurseu akuzat e rënda ndaj ministrit të Brendshëm Taulant Balla.
“Pusho, mos bëni zhurmë! Ky është hajduti, krimineli që vodhi të dhënat e TIMS, por ne këtu jemi. I bindur të jesh ti që komisioni do të ndërtohet.”
09:47 – Bllokohet me karrige foltorja në Kuvend, Berisha: Vazhdon mosbindja civile
Opozita vijon sërish betejën e saj në Kuvend. Edhe këtë të enjte seanca plenare do të bllokohet. Para nisjes së Kuvendit, deputetët demokratë kanë vendosur një grumbull karrigesh në foltore. Ndërkohë pas karrigeve qëndrojnë efektivë të Gardës.
Ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se edhe sot do të vazhdojë mosbindja civile e parlamentarëve të opozitës pasi i janë mohuar të drejtat kushtetuese.
“Vazhdon mosbindja civile, protesta paqësore e parlamentarëve të opozitës me të drejta kushtetuese të mohuara. Prej 18 muajsh me urdhër të Edi Ramës ky parlament nuk lejon ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare, një detyrim kushtetues nga neni 77 i Kushtetutës që thotë se me firmën e ¼ të deputetëve të Kuvendit, Kuvendi është i detyruar të ngrejë komisione hetimore për çështje të caktuara”, tha Berisha.
Sipas tij, Rama nuk i pranon këto komisione sepse ai vetë është i inkriminuar dhe se familjarët e tij janë vërsulur pas tenderave dhe prokurorimeve publike.
Në rendin e ditës të publikuar në faqen zyrtare të parlamentit janë për diskutim një sërë çështjesh. Ndër to janë projektligji për Kodin Penal, projektligji për koncesionet dhe partneritetin publik privat, për prokurorimin publik etj.
/tvklan.al