Të dielën në Vushtrri ka ndodhur një incident, ku për pasojë një person ka mbetur i vrarë dhe dy të tjerë të plagosur.
Ndërsa, policia ka njoftuar se njëri nga të plagosurit që ishte duke u trajtuar në QKUK ka ndërruar jetë.
“Raportohet se me datën 30.10.2023 në QKUK-Prishtinë, ka ndërruar jetë edhe viktima e dytë mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit , trupi i pa jetë i viktimës dërgohet në IML për Obduksion”, thuhet në raportin e Policisë.
Prokurorja e rastit Fetije Bajrami, për “Betimi për Drejtësi” ka thënë se dyshimet janë se motivi ishte dëmtimi i veturës së njërit të pandehur.
“Një nga ta akuzohet për vrasje të rëndë dhe tre tjerë për pjesëmarrje në rrahje. Motivet janë, për një kerr. Janë rrahë paraprakisht një ditë më herët, që ia kanë dëmtuar këtij të pandehurit kerrin, e kanë pas një rrahje mes vete. Ata tjerët grup që janë kanë s’i kemi gjetur ende”, tha Bajrami.
Ajo shtoi se Prokuroria do të parashtrojë kërkesë për paraburgim, të cilën është duke e punuar.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Jugut, Avni Zahiti, të arrestuarit e parë janë J.S., 24-vjeçar, E.B. 24-vjeçar, ndërsa tre të tjerëve s’u janë bërë të ditura inicialet.
Për rastin është konfiskuar edhe një armë AK-47, ndërsa trupi i pajetë i viktimës E.Z., 27-vjeçar, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.