Narges Mohammadi, një mbrojtëse iraniane për të drejtat e grave, e cila është e burgosur, fitoi të premten Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2023.
Një nga veprimtaret kryesore të të drejtave të njeriut në Iran, Narges Mohammadi ka bërë fushatë për të drejtat e grave dhe heqjen e dënimit me vdekje.
Duke e quajtur Narges Mohammadin një “luftëtare të lirisë “, kryetarja e Komitetit Norvegjez të Nobelit Berit Reiss-Andersen, e filloi fjalimin e saj duke thënë në gjuhën farsi, fjalët për “grua, jetë, liri”, një nga sloganet e protestave paqësore kundër qeverisë iraniane.
“Komiteti Norvegjez i Nobelit ka vendosur t’i japë Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2023 Narges Mohammadit, për luftën e saj kundër shtypjes së grave në Iran dhe luftën e saj për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe lirinë për të gjithë”, tha zonja Berit Reiss-Andersen.
Zonja Mohammadi aktualisht po vuan dënime të shumta në burgun Evin të Teheranit, që arrijnë në rreth 12 vjet heqje lirie. Akuzat përfshijnë “përhapjen e propagandës kundër shtetit”.
Ajo është nënkryetare e Qendrës Mbrojtësit e të Drejtave të Njeriut, një organizatë joqeveritare e udhëhequr nga Shirin Ebadi, fituese e Çmimit Nobel për Paqe në vitin 2003.
Çmimi Nobel për Paqe, me vlerë 11 milionë korona suedeze, ose rreth 1 milion dollarë, do të jepet në Oslo më 10 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së industrialistit suedez Alfred Nobel, i cili themeloi çmimet në testamentin e tij të vitit 1895.