Në veri të Kosovës, mëngjesin e sotëm janë shfaqur disa posterë me imazhin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Në këto postera ku shihet Vuçiç, shkruhet edhe mesazhi “Komandant Suprem, ju presim”, raporton mediumi serb lokal “Kosovo Online”.
Këto postera janë shfaqur në katër komunat veriore, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe veri të Mitrovicës. Posterat janë vendosur në muret e ndërtesave, shtëpive, lokaleve dhe hapësira të tjera publike.
Ndërkohë ju rikujtojmë se këtë javë në Bruksel ka pasur një takim Kurti-Vuçiç.
Tri kushtet e paraqitura në Bruksel mbrojnë marrëveshjen bazike nga sulmet e vazhdueshme që po i bën Beogradi zyrtar ujdisë. Kështu u shpreh kryeministri Albin Kurti pas mbledhjes së qeverisë ditën e premte.
Sipas tij, plotësimi i këtyre kërkesave, do të nënkuptonte formalizim të marrëveshjes, seriozitet para zbatimit si dhe vendosje të drejtësisë e bashkëpunim të mirë fqinjësor.
“Presidenti i Serbisë s’ishte i gatshëm të respektojë asnjë. Pra as të nënshkruaj marrëveshjen, as të tërheq letrën për refuzimin e saj dhe as të dorëzojë kriminelin Radoiçiç.”
Kurti tha se pa dorëzimin e Radoiçiçit dhe grupit që kreu aktin terrorist të Banjskës nuk do të ketë mirëbesim në dialog.
“Serbia duhet t’ia dorëzojë Kosovës grupin paramilitar që kreu sulmin terrorist në krye me Milan Radoiçiç që të gjithë ata të përballen me drejtësi në Kosovë. Për aq kohë sa Radoiçiç dhe grupi i tij është i lirë dhe mbrojtur në Serbi s’ka mirëbesim në dialogun për normalizim.”
Në mbledhjen e kabinetit qeveritar, Kurti reagoi edhe për ndalimin e festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, që promovon bashkëpunimin kulturor mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se edhe një herë po dëshmohet shovinizmi i Beogradit.
“Edhe një herë edhe një rast tjetër, një formë më shumë që Serbia po e shfaq shovinizmin e saj të paepur ndaj çdo gjëje që ka të bëjë me normalizim, paqe, drejtësi dhe pajtim.”
Të mërkurën duhej te mbahej takimi i nivelit të lartë mes Kurtit dhe Vuçiç në Bruksel, por ballafaqimi pasi Kurti vendosi tre kushte; dorëzimin e Radoiçiç, tërheqjen e letrës së Bërnabiç për BE, dhe nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit.
Në takimet me ndërmjetësuesit, palët nuk u dakorduan për planin e zbatimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe aneksit të sajnë Ohër.