Përmes një postimi në Facebook, ministri Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjarto ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq e ka informuar kryeministrin Viktor Orban për lirimin e policëve.
Ka shtuar se lirimi i policëve pas kërkesës së Hungarisë është dëshmi e qartë e miqësisë me Serbinë.
“Presidenti serb Aleksandar Vuçiq sapo e njoftoi kryeministrin Viktor Orbán se, sipas kërkesës së paraqitur në takimin e tyre javën e kaluar, autoritetet serbe së shpejti do t’i lirojnë nga paraburgimi tre policët e Kosovës të arrestuar më parë”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka thënë se Orbán vlerëson hapin e ndërmarrë nga presidenti serb “në një periudhë sfidash serioze, që është një dëshmi e qartë e miqësisë së thellë mes kombeve serbe dhe hungareze dhe e bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve”.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se Serbia përkundër lirimit sot të 3 pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, nuk mund të lirohet nga përgjegjësia për këtë akt flagrant agresioni ndaj shtetit të Kosovës.
“3 policët e Kosovës janë liruar, por kjo nuk e liron Serbinë nga përgjegjësia për këtë akt flagrant agresioni kundër Kosovës dhe shkeljes së Marrëveshjes Teknike Ushtarake me NATO-n”, shkroi Osmani.
Ndërsa, Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se edhe pse janë të gëzuar që po kthehen në familjet e tyre, ky rrëmbim është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe duhet të qortohet.
Ka shtuar se Serbia duhet të mbajë përgjegjësi.
“Edhe pse jemi të gëzuar që ata kthehen në familjet e tyre, ky rrëmbim konsiston në një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe duhet qortuar. Agresioni serb duhet të mbajë përgjegjësi”, ka shkruar ai.