Gazetari Milaim Zeka, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se ikjen nga Kosova e sheh si normale.Ai thotë se nuk ka të drejtë morale t’iu kërkojë njerëzve që mos ta lëshojnë vendin për një jetë më të mirë, derisa vazhdon ai, edhe dy vajzat e veta është duke i përgatitur për me ikë jashtë vendit.
“Çfarë të drejte morale ose njerëzore kam me iu thënë kushërinjve të mi, njerëzve të mi, familjarëve të mi, mos ikë për një jetë më të mirë, për një punë më të mirë, për një siguroi më të mirë. Unë dy vajzat i kam në Suedi, njëra është mjeke, njëra inxhiniere edhe nuk kam arritë që 23 vjet me iu kriju kushte për me ardhë ato me punu në Kosovë. E kur dy vajzat e tjera që i kam këtu, prej fillimit e kam prognozua edhe i kam përgatitë për me ikë përjashta. Unë si babë jam tu i përgatitë vajzat e mia me ikë prej këtij vendi”, tha Zeka.
Ai thotë se përtej rrogës, janë edhe tri gjëra elementare që i mungojnë këtij vendi
“Pse me ikë prej këtij vendi? Sepse përtej rrogës, janë tri gjërat elementare që i mungojnë këtij vendi. Një, është shëndetësia. Shkon në spital i sëmurë, kthehesh më i sëmurë. Një kolege mjeke, kurrë nuk e harroj, e kam citu me qindra herë nëpër studio televizive, mjeke briliante, me ka thënë “ne kemi kushte me mbytë pacientë. Këta janë njerëz fantastikë, mjekë fantastikë, profesionistë fantastikë, po ti shkon te këta kontrollohem, më thotë po me vjen keq Milaim, por duhet me dalë me ble këtë, këtë, me ble gjilpëra. Ky s’mundet me t’i dhënë gjilpërat e veta. Dy, mungesë totale e drejtësisë. Në qoftë se ti jeton në një shtet kur një hetues kriminel, hetues policor, është bërë multi milionerë, kur ti pjesën dërmuese të kapitenëve të graduar të Policisë i ke multi milionera, kur një hetues në Pejë duke kontrolluar një biznesmen, djali i ri të Frankfurtit, e marrin dhe ia fusin 20 gramë kokainë në xhep mbrapa, e fusin në listën e Interpolit dhe ia lypin me e heqë nga Interpoli. Normal që duhet me ikë prej këtij vendi. Dhe, e treta, kur e ke një arsim, një sistem arsimor që prodhon doktora të shkencave analfabetë, profesorë analfabetë, mësues analfabetë, të cilët nuk dinë as artin e komunikimit qoftë me nxënës, qoftë me studentë. Cila është arsyeja që Sindikata e Arsimit vazhdimisht proteston edhe thotë që ne nuk mundemi me i futë në provim pranues arsimtarin. Qysh mos me e futë arsimtarin idiot, që s’e dinë matematikën, që s’e dinë anglishten, që nuk e njeh gjuhën shqipe, pse mos me e futë në provim”, tha Zeka. (ATV)