Qeveria e Kosovës ka marrë vendim sot për miratimin e shtesave të rrezikshmërisë për zyrtarët policor. Këta të fundit janë të pakënaqur me vendimin. Arsyeja kategorizimi dhe vlera e shtesës. Kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri tha sot për Express se as nuk janë konsultuar paraprakisht lidhur me këtë çështje.
Me kërkesën e kryeministrit Albin Kurti janë miratuar sot shtesat e rrezikshmërisë së punës së Policisë së Kosovës.
Pa asnjë ndryshim në kategorizim dhe vlerë, ministrat votuan të gjithë për kalimin e këtyre shtesave.
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri ka thënë se janë të pakënaqur me vendimin e sotshëm të Qeverisë së Kosovës, për miratimin e shtesave të rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës. Ai për Gazetën Express ka deklaruar se vendimi është i papranueshëm për zyrtarët policor.
Arsyeja e kundërshtimit, Zeqiri tha se është vlera e shtesës dhe mos kategorizimi i duhur.
“Ky propozim ka dal para tri jave edhe s’kemi çka me deklaru tjetër përpos asaj që janë të pakënaqur të gjithë. Pavarësisht seku i kanë ranguar. Po e presim atë vendim, se në aftë vendim edhe duhet destinuar. Ne propozim nuk kanë qenë të përfshire të gjitha njësitet policore dhe të shohim se cilat njësi ku janë përfshirë. Përndryshe është i papranueshëm. Është e papranueshme, tek policia është e papranueshme sepse janë përgjysmë më pak se që i kemi kërkuar”, tha ai.
Për këtë vendim ai konfirmoi se as nuk janë konsultuar nga kryeministri.
Detaje ai tha se nuk di as për takimin e djeshëm në mes të kryeministrit Albin Kurti me zëvendësdrejtorin e policisë, Fehmi Hoti dhe pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese.
“E dini që s‘kemi qenë pjesë e takim dhe derti më tani nuk kam asnjë informacion se çfarë ka ndodhur në të vërtetë aty. Nuk e di se si ka kaluar takimi, përndryshe ka qenë i gjatë pak por jemi pa informacione”, ka thënë ai.
Sipas vendimi ttë sotshëm të Qeverisë së Kosovës, shtesat e zyrtarëve policor janë përcaktuar si në vijim.
Krahas pagës bazë, pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese, ata të njësisë për ndërhyrje të shpejtë dhe njësia për mbrojtjen e afërt tani do të marrin edhe 150 euro shtesë.
Nga 120 euro më shumë do t’i marrin njësitet operative K-9 dhe njësia për eksplozivët dhe deminim.
Pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtarë të hetuesisë nga 75 euro shtesë në muaj.
Ekipet reaguese dhe patrullat, që përbëjnë numrin më të madh të Policisë së Kosovës, do të marrin nga 60 euro shtesë në muaj, kurse policëve që angazhohen për sigurinë e objekteve dhe ata në menaxhim të operacioneve, do t’iu ndahen nga 50, respektivisht 40 euro shtesë të rrezikshmërisë.