Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se qeverisja në Gjakovë nga kryetari Ardian Gjini me ekipin e tij, e kanë ndryshuar pozicionin ekonomik të kësaj komune.
Në 23-vjetorin e themelimit të AAK-së në Gjakovë, Haradinaj ka thënë se po vërehet gatishmëri dhe entuziazëm për të vazhduar edhe më fuqishëm në interes të Gjakovës dhe të Kosovës.
“Sot, në shënim të 23-vjetorit të themelimit të Aleancës në Gjakovë, pamë entuziazëm e gatishmëri si asnjëherë më parë për të vazhduar edhe më fuqishëm në interes të Gjakovës, të shtetit dhe të ardhmes sonë të përbashkët”, ka thënë mes tjerash Haradinaj.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Vëmendja e Qeverisë së Kosovës tek qyteti i Gjakovës ka ndodhur në kohën sa unë isha kryeministër. Vetëm atëherë Komuna e Gjakovës dhe jo vetëm, ishte në qendër të agjendës së investimeve.
Qeverisja në Gjakovë nga Aleanca me kryetarin Ardian Gjini dhe ekipin e tij, kanë marrë vëmendjen e merituar në vend përmes qeverisjes së mirë, duke i ofruar qytetarëve të saj infrastrukturë dhe projekte zhvillimore të rëndësishme – investime që Gjakovës ia ndryshuan pozitivisht pozicionin ekonomik të saj.
Sot, në shënim të 23-vjetorit të themelimit të Aleancës në Gjakovë, pamë entuziazëm e gatishmëri si asnjëherë më parë për të vazhduar edhe më fuqishëm në interes të Gjakovës, të shtetit dhe të ardhmes sonë të përbashkët.