Skulptorja 20 vjeçare, Eliza Shala, ka vendosur skulpturën e saj “Këmbëkryq”në Prishtinë, ku ka treguar domethënien që fshihet pas kësaj vepre artistike. Shala ka thënë skulptura përfaqëson urtësinë, paqen dhe këmbëngulësinë e protestuesit Faik Rexhepi në qëndresën paqësore në Kosovë të vitit 1990 ndaj trupave të regjimit serb, raproton Gazeta10.
“Këmbëkryq quhet skulptura e cila përfaqëson urtësinë, paqen dhe këmbëngulësinë, përmes ngjarjeve historike që mishërohen me këtë gjest. Në qëndresën paqësore në Kosovë të vitit 1990, në rrëmujën e ndjekjes nga policia e regjimit serb, protestuesi Faik Rexhepi ulet këmbëkryq duke peshuar kokën në dorë, me të vetmen shpresë e besim në mrekulli, se ai do të lihej i qetë në të drejtën e tij. Një dritëshkronjë e shkrepur nga fotografi Hazir Reka do ta vuloste përgjithmonë këtë çast që përmbledhi gjithë pështjellimin e kohërave tona. Me anë të kësaj skulpture, këtë 28 Nëntor, ai, protestuesi, rikthehet, tashmë i papenguar dhe i mirëpritur, ta gëzoj të drejtën për tu ulur këmbëkryq, në vendin e tij.”, është shprehur skulptorja.
Vepra është realizuar në kuadër të KnKub Heritage financuar nga Komuna e Prishtinës, Drejtoria e Kulturës.
Kjo vepër artistike ka pasur reagime të shumta nga më të ndryshme, me kritika pozitive dhe lëvdata.
Komentatori politik Halil Matoshi, me anë të një postimi në Facebook, ka reaguar duke u shprehur se kjo vepër është e punuar me një kualitet të dobët duke mos e përfaqësuar mirë figurën.
“Skulptura asht dobët e realizume si në përmasa anatomike, portretizimit, ashtu edhe në aspektin e vlerës estetike dhe duhet nji ditë të zëvendësohet! E për me e vlerësu veç sy duhet me pasë, jo shumë edukim estetik!”, tha Matoshi.
Në anën tjetër, gazetari Adriatik Kelmendi, ka thënë se kjo skulpturë është vepër origjinale ku përfaqëson më së miri qëndresën e shqipatrëve gjatë regjimit të Millosheviqit.
“Kjo mbase është ideja më origjinale për ta simbolizuar protestën paqësore të shqiptarëve të Kosovës kundër regjimit të Milosheviqit, në fund të viteve ‘80 dhe fillim të viteve ‘90. Akti sublim i rezistencës paqësore i Faik Rexhepit i kthyer sot në bronz. Të mos harrohet!”, tha Kelmendi.
Vlen të theksohet se veprimtaria e Eliza Shalës shtrihet në fushën e skulpturës, ilustrimit dhe animacionit.