Kryeministri Albin Kurti, ka reaguar pas vrasjes së gruas shtatzënë para Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK. Kurti përmes një postimi në Facebook, pas rastit tragjik ka shkruar se “Dy engjëj në qiellin e pistë”.
“Vrasje mizore. U vra edhe një grua. Edhe kjo nga burri i saj. Në oborr të spitalit. Atje ku duhet të shërohen njerëzit. Në oborr të Klinikës Gjinekologjike. Atje ku lindin gratë. U shua një jetë që po sillte edhe një jetë tjetër”, ka shkruar Kurti.
Kurti ka thënë se armiqtë e shqiptarëve do të jenë duke menduar se tani janë edhe dy shqiptarë më pak, teksa e ka quajtur të papranueshme dhe të padurueshme ngjarjen e sotme.
“Gruaja ishte shtatzënë. Rreth 35 vjeç, as në gjysmë të jetës së saj. E fëmija që ajo donte ta lindte as nuk e filloi jetën. Vrasës mizor. Edhe një burrë që qëllon mbi gruan që duhej ta mbronte. Edhe një burrë që vret një grua. E cila tash është e jona, e të gjithë neve. Bashkë me foshnjen e palindur të saj. Dy qytetarë të Kosovës më pak, dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë. E papranueshme dhe e padurueshme”, ka shkruar ai.