Josep Borrell, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, ka deklaruar se propozimi final franko-gjerman i është dërguar dje Prishtinës dhe Beogradit.
Kryediplomati evropian ka konfirmuar se i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, e ka dorëzuar “versionin e fundit të propozimit që është vendosur në tavolinë.” Ky konfirmim është bërë në samitin e BE-Ballkan Perëndimor që sot po mbahet në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.
Lajçak ishte sot në Prishtinë, gjë që nënkupton se versionin e fundit të këtij propozimi e ka dorëzuar pikërisht sot. Gjatë të ditës së djeshme ai ishte edhe në Beograd.
Çka është plani franko-gjerman?
Faqja Euractiv kishte publikuar para disa jave atë që pretendonte të ishte propozimi franko-gjerman për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.
Ky plan fitoi fillimisht legjitimitet veçanërisht më 3 nëntor kur u pranua si një mundësi për ecje përpara nga kancelari federal i Gjermanisë, Olaf Scholz.
Për këtë propozim ka folur edhe kryeministri Kurti por edhe kryekuvendari Glauk Konjufca, derisa ka pasur diskutime nga i pari edhe me liderët e partive opozitare.
9 pikat e Propozimit
Sipas tekstit që e ka parë faqja Euractiv përmes një burimi të besueshëm, shkruhet si vijon:
Neni 1
Kosova dhe Serbia duhet të zhvillojnë marrëdhënie normale e të mira fqinjësore me njëra tjetrën bazuar në të drejta të barabarta.
Neni 2
Kosova dhe Serbia do të udhëhiqen nga aspiratat e tyre të përbashkëta për anëtarësim në BE.
Neni 3
Në përputhje me MSA-në [Marrëveshjet e Stabilizim Asociimit] të nënshkruara nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia do të zgjidhin çdo mospajtim mes asaj kohe ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës. Ata riafirmojnë paprekshmërinë tani dhe në të ardhmen e kufirit që ekziston mes tyre dhe marrin përsipër të respektojnë plotësisht integritetin territorial të njëri-tjetrit.
Neni 4
Kosova dhe Serbia vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga dy palët nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare dhe as të veprojë në emër të saj.
Neni 5
Kosova dhe Serbia do të promovojnë marrëdhënie paqësore në Ballkanin Perëndimor dhe do të kontribuojnë në sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal në Evropë.
Neni 6
Kosova dhe Serbia vazhdojnë me respektimin reciprok të juridiksionit të secilës palë.
Neni 7
Kosova dhe Serbia deklarojnë gatishmërinë e tyre për të rregulluar çështjet praktike dhe humanitare në procesin e normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Ata do të lidhin marrëveshje me synimin për të zhvilluar dhe promovuar në bazë të këtij Traktati dhe për përfitimin e tyre të ndërsjellë bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit, marrëdhënieve gjyqësore, postave dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, sportit, mjedisit, mbrojtjes dhe në fusha të tjera. Detajet janë rënë dakord në Protokollin Suplementar.
Neni 8
Kosova dhe Serbia do të shkëmbejnë Misionet e Përhershme. Ato do të vendosen në selinë e Qeverisë përkatëse. Çështjet praktike në lidhje me themelimin e Misioneve do të trajtohen veçmas.
Neni 9
Kosova dhe Serbia pajtohen që ky Traktat nuk do të ndikojë në traktatet dhe marrëveshjet ndërkombëtare dypalëshe dhe shumëpalëshe të lidhura tashmë prej tyre ose që kanë të bëjnë me to.
Çka kishte thënë Kurti?
Kryeministri i vendit ishte pyetur në një konferencë për medie para disa javësh nëse e përkrahte këtë plan dhe përgjigja e tij në këtë çështje nuk ishte krejtësisht e qartë.
“Ne e kemi parë si hap në drejtimin e duhur meqenëse konceptet që aty përdoren janë vlera. Për dallim nga herët e kaluara, konceptet janë të duhura. Domethënë, tash nuk jemi te ajo. Tash jemi te vlerat. Dhe unë e kam vlerësuar këtë propozim si hap në drejtimin e duhur.”
Këtë vlerësim e kishte bërë edhe në samitin e Berlinit më 3 nëntor derisa po fliste për kornizën e përgjithshme.
Ai shpjegoi edhe një pjesë të procesit që çoi deri te plani franko-gjerman. Sipas kryeministrit, gjithçka nisi më 18 gusht në Bruksel, kur ishte diskutuar për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes.
“Unë jam i bindur që deri më datën 18 gusht, nuk kemi pasur dialog për marrëveshje. Kemi pasur dialog për proces të vazhdueshëm, dakordime të vogla, koncesione, dialog për dialog (nganjëherë) por më 18 gusht pika e parë ka qenë korniza e përgjithshme e marrëveshjes. Dhe më 9 shtator, patën ardhë në zyren time këtu përfaqësuesit e kancelarit Scholz dhe presidentit francez.”
Por, Kurti ka pasur edhe vërejtje për planin franko-gjerman.
“…ata kanë sjellur përmbledhje të ideve, të modeleve, të cilat unë nuk i kam refuzuar por kam thënë se janë bazë e mirë. I kam vërejtjet e mia, jua kam thënë edhe atyre. Por, unë nuk e kam kundërshtuar,”
Kurti u shpreh edhe se plani franko-gjerman ka mbështetjen e Brukselit dhe të Washingtonit.