Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit Amerikan në një përgjigje për Gazetën Express kanë konfirmuar se emisari Gabriel Escobar do të qëndrojë për vizitë në rajon megjithatë s’kanë konfirmuar asgjë rreth datës së kur do të vijë në Kosovë dhe as rreth asaj nëse do të jetë i shoqëruar nga këshilltari special i Sekretarit Antony Blinken, Derek Chollet. Në media ka pasur raportime se dy zyrtarët e lartë të DASH-it pritet të qëndrojnë në Kosovë gjatë javës së ardhshme, konkretisht ditën e hënën.
Nga Washingtoni për Express kanë thënë se udhëtimet e emisarit Gabriel Escobar në rajon janë të shpeshta dhe se ai do të vizitojë rajonin për “konsultime të rregullta”
Ndërkohë sot Gabriel Escobar është lajmëruar nga Sarajeva, në një organizim në Ambasadën e SHBA-së në Bosnje e Hercegovinë.
Kjo vizitë që pritet të realizohet në rajon nga Gabriel Escobar, vjen në një kohë kur situata e sigurisë në Veri të Republikës së Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar që prej suspendimit të komandantit rajonal të Policisë së Kosovës, Nenad Gjuriq, veprim ky që rezultoi me vendimin e “Listës Serbe” për largim nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është thënë se largimi nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje dhe është bërë thirrje për gjetjen e një zgjidhjeje.
Megjithatë incidentet në veri të vendit janë shpeshtuar që kur presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale për katër komunat në veri të vendit, meqë kryetarët e “Listës Serbe” kishin dhënë dorëheqjen.
Më 6 dhjetor, zyrtarët komunal zgjedhor s’janë lejuar që të ushtrojnë detyrën e tyre dhe janë penguar nga një grup i serbëve lokalë. Në një deklaratë për media nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ishte thënë se këta persona, disa prej të cilëve edhe të maskuar, kishin hedhur shok bomba dhe kishin shtënë në ajër me armë për të penguar zyrtarët lokal zgjedhor që të kryenin punën e tyre në Zveçan.
Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duke parë situatën në veri të vendit kanë thënë se zgjedhjet s’mund të mbahen me zor.
Edhe Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka thënë se situata aktuale në veri të Republikës së Kosovës nuk është e përshtatshme për organizimin e zgjedhjeve.
Ndërkohë nga Presidenca e Republikës së Kosovës kanë thënë se Presidenca mund të vihet në veprim për shtyrjen e zgjedhjeve vetëm pasi të ketë një vlerësim nga institucione kompetente të sigurisë dhe pranimit të kërkesës për shtyrje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Vlerësimi për shtyrjen e datës së zgjedhjeve i takon institucioneve të Republikës së Kosovës në bazë të kritereve specifike. Sipas praktikës së deritanishme, Presidenca mund të vihet në veprim vetëm pas vlerësimit të tillë nga institucionet kompetente të sigurisë dhe pranimit të kërkesës për shtyrjen e zgjedhjeve nga KQZ-ja”, ka thënë Bekim Kupina nga Presidenca.
Ditë më parë në Kosovë ka qëndruar edhe emisari i BE-së, Miroslav Lajcak, i cili ka dorëzuar të modifikuar propozimin franko-gjerman. Lajcak pas takimit që ka pasur me kryeministrin Albin Kurti, ka treguar se kanë biseduar edhe për situatën në veri të Kosovës dhe çështjen e largimit të serbëve nga institucionet e Republikës së Kosovës./GazetaExpress/