I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se shteti që ai e përfaqëson, e kundërshton kategorikisht kërkesën e Serbisë për vendosjen e rreth 1 mijë trupave ushtarake në veri të Kosovës.
Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, Escobar ka deklaruar se ShBA-ja nuk e mbështet fare një kërkesë të tillë dhe ka theksuar qartë, se Kosova e ka garancë aleatin e saj amerikan.
“Ne e kundërshtojmë këtë kategorikisht, e hedhim poshtë kategorikisht. Nuk e mbështesim këtë fare. Unë gjithashtu dua të them se Kosova ka garanci shumë të forta sigurie nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.” – tha ai.
Pyetur se si do veprohet nëse ndodhë një gjë e tillë, ai është përgjigjur prerë: “E para, këtë nuk e pres”.
“E dyta, po e përsëris, Kosova ka garanci të forta sigurie nga ShBA-ja, të manifestuara përmes pjesëmarrjes së saj në KFOR.” – tha tutje ai.
Vlen të përmendet se pas zhvillimeve në veri të vendit dhe vendosjes së barrikadave në disa pika, Escobar po qëndron në Kosovë, ku sot bashkë me emisarin evropian për dialogun, Mirsolav Lajçak do ta takojnë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti nga ora 17:30.