Sot Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë kanë shpallur aktgjykimin rreth akuzave ndaj Salih Mustafës, i njohur me nofkën “Cali” gjatë kohës së luftës së viteve 1998 dhe 1999. Ish-komandant Cali u dënuar me 26 vjet burgim të njësuar për krime lufte, përfshirë vrasje të paligjshme dhe torturë. E në Kosovë, tashmë kanë filluar reagimet e shumta për këtë çështje.
Shumë qytetarë e analistë, por edhe familjar të Mustafës, kanë reaguar ndaj këtij vendimi, duke e kritikuar Gjykatën Speciale për dënimin ndaj ish-eprorit të UÇK-së.
Madje, shumë qytetarë tashmë kanë filluar edhe një fushatë “jo në emrin tim”, duke e kundërshtuar aktgjykimin ndaj Mustafës të cilin Gjykata Speciale e lëshoi “në emër të popullit të Kosovës”. E një reagim e lëshoi edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, duke e cilësuar vendimin si “fitore për drejtësinë”.
Reagimet në Kosovë
Ndër të parët që reagoi ishte Arben Ahmeti, drejtor i televizionit kosovar “Kanal 10”. Ahmeti shkroi se “Mustafa është dënuar për një vrasje që e kanë bërë forcat serbe”.
“Sipas Gjykatës, i ndaluari nga Mustafa ka qenë i torturuar dhe nuk ka mundur të ikë nga forcat serbe të cilat pastaj e kanë vrarë. Sot Mustafa u dënua pse nuk i ka ndihmuar të ikë një të ndaluari. Vrasësi serb i kësaj viktime mesiguri jeton në Serbi. Është i lirë. Dhe endet pa viza nëpër Evropë. Vrasësi endet i lirë sepse është serb. Salih Mustafa dënohet sepse ishte UÇK.” – shkroi ndër të tjera Ahmeti.
Arta Mustafa, mbesa e Salih Mustafës, shkroi një status si formë reagimi pas dënimit prej 26 vjet burgim për krime lufte, duke thënë se ka mbetur pa fjalë.
“Xhaxh, qenka shumë vështirë me pa, se idolli im, që përfaqëson idealet e luftës e drejtësisë, u dënua, pikërisht për mbrojtjen e këtyre idealeve të kombit tonë, për kohën kur pak patën guximin t’i dilnin ballë luftës për çlirim të atdheut, e ti ishe në krye.” – shkroi ndër të tjera ajo.
Ndërsa, Ganimete Musliu, deputete e PDK-së, është shprehur e tmerruar me dënimin që Gjykata Speciale i ka dhënë ish-komandantit të UÇK-së, Sali Mustafa, duke theksuar se ndihet e lumtur që nuk e ka votuar Gjykatën Speciale.
“Sot edhe pse ndërgjegjën e kam të pastërt, shpirti im është rënduar nga dhimbja për CALIN dhe për veprën sublime të USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS, për KRYEVEPRËN E HISTORISË SONË KOMBËTARE. Lavdi e përjetshme luftës së CALIT dhe UÇK-së!”, ka shkruar, ndër të tjera, Musliu.
E Shkodran Ramadani, politilog, reagoi pas dënimit prej 26 vjetëve burgim ndaj Mustafës, duke shkruar se është e padurueshme lehtësia me të cilën shkruhet një aktakuzë që injoron kaq shumë rrethanat e ngjarjeve.
“Asnje krim nuk duhet të relativizohet, mirëpo kur për 400 shqiptarët e vrarë nuk është dënuar askush deri më tash, dënimi kaq i rëndë i Calit është i padrejtë dhe absurd. Është e padurueshme lehtësia me të cilën shkruhet një aktakuzë që injoron kaq shumë rrethanat e ngjarjeve. Është e papërballueshme të shqiptohet një dënim kaq drakonik, kur nuk ka drejtësi për krime 1 milion herë më të rënda.” – shkroi z. Ramadani.
Ndërsa, Ramush Haradinaj, ish-kryeminsitër e ish-komandant i UÇK-së, ka reaguar pas dënimit të Salih Mustafës nga ana e Gjykatës Speciale me 26 vjet burg.
Haradinaj ka shkruar se beson “fuqishëm në pafajësinë e UÇK-së”.
“Unë besoj fuqishëm në pafajësinë e UÇK-së. Kosova e ka pranuar drejtësinë si mekanizëm për heqjen e gjitha dilemave se lufta e UÇK-së për lirinë e vendit ka qenë luftë e pastër!” – shkroi Haradinaj.
Tutje, sipas tij dënimi i Mustafës është vetëm një shkallë e drejtësisë, duke shtuar se shpreson të marrë një epilog tjetër nga ky i sotmi.
Tashmë shumë qytetarë kanë filluar një fushatë në Facebook, duke shkruar se dënimi nuk është bërë në emër të tyre.
Madje në këtë “fushatë” është përfshirë edhe aktori Kushtrim Sheremeti, që aktualisht drejton Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Edhe analisti Fitim Salihu shkroi të njëjtin sllogan “jo në emër timin”.
Reagimet në Hagë
Për dënimin ndaj ish-komandantit të UÇK-së ka reaguar edhe Gjykata Speciale. Në faqen e tyre zyrtare, Dhomat e Specializuara botuan aktgjykimin që u lexua gjatë seancës së sotme.
“Krimet për të cilat z. Mustafa u shpall fajtor ndodhën në prill 1999 në një kompleks në fshatin Zllash, në Kosovë, i cili përdorej si bazë nga njësiti gueril BIA i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), komandant i të cilit ishte z. Mustafa.” – shkruan në reagimin e tyre Dhomat e Specializuara.
Edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar ka lëshuar gjatë ditës një komunikatë, pas aktgjykimit dënues për Salih Mustafën. Në njoftimin e ZPS-së, thuhet se Ushtruesi i Detyrës së Prokurorit të Specializuar Alex Ëhiting, i cili në këtë post e zëvendëson Jack Smithin e dorëhequr, e ka mirëpritur vendimin e sotëm.
“Aktgjykimi i sotëm përbën një fitore për drejtësinë dhe, në veçanti, për viktimat e Salih Mustafës dhe familjet e tyre, të gjithë shqiptarë të Kosovës, tragjeditë personale të të cilëve ishin në zemër të këtij rasti, dhe që kanë vuajtur për më shumë se dy dekada për shkak të veprimeve të Z. Mustafa,” tha Z. Ëhiting në përgjigje të vendimit fajtor nga Trupi Gjykues.” – shkruajti ZPS, transmeton Nacionale.