Kryetari i Aleancës “Kosova e Re” dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, e ka kritikuar ashpër kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, duke thënë se përmes një publikimi të një “pamfleti politik e propagandistik” është bërë “zëdhënësi më i denjë i propagandës së Ministrisë së Jashtme të Serbisë”.
“Ju zotni Kraja, nëse keni ndjenja dashurie për Kosovën e lirë, duheni të tërhiqeni nga qëndrimet skandaloze anti-shqiptare që keni shkruar në pamfletin e juaj politik. Mbi të gjitha shkrimi i juaj lë hapsirë për të dyshuar se ju keni njohuri apo kani lobuar ndonjëherë për interesat e Kosovës. Po shihet qartë se ju jeni profesionist në shqiptimin e qëndrimeve të shteteve që sfidojnë dhe luftojnë shtetësinë e Kosovës”- shkroi Pacolli në rrjetin “Facebook”.
Ish-zyrtari i lartë i Kosovës e akuzoi akademikun Kraja se po flet pikërisht me narrativën e Beogradit dhe të zyrtarëve shtetërorë të Serbisë, duke shtuar se njohjet e Kosovës “bazohen në lobim të mirëfilltë dhe të mirëkoordinuar me partnerët tanë, duke i paraqitur të vërtetën dhe të drejtën tonë si shtet”.
Pacolli reagoi për pretendimin e “analizës” së AShAK-ut se njohja e pavarësisë së Kosovës nga disa shtete është bërë në mënyrë korruptuese.
“Prandaj kur thoni se “njohjet qe kanë ardhur me menyra korruptive ato janë terhjekur nga Serbia” Ju zotni Kraja, mos të them se po genjeni, ju po i shtrembëroni gjërat”- shkroi Pacolli.