Trekëndëshi Washington-Berlin-Paris aktualisht ka rritur përkushtimin dhe presionin për të çuar dy çështje përpara në kuadër të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Paralelisht është duke u kërkuar themelimi i Asociacionit dhe pranimi i planit franko-gjerman.
Megjithatë pavarësisht se për të dy çështjet po diskutohet në të njëjtën kohë, emisari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar e ka bërë të ditur se proceset s’janë të ndërlidhura mes vete dhe se s’mund të ketë modalitete kushtëzimi nga asnjëra palë për ta pranuar njërën apo për ta zbatuar tjetrën.
Ai ka thënë se të dy tematikat s’janë tërësisht të lidhura mes vete. Sipas Escobar, Asociacioni është një detyrim që duhet të zbatohet, derisa propozimi franko-gjerman është shumë i mirë për të ecur përpara raportet Kosovë-Serbi.
“Më lejoni të them se këto dy çështje nuk janë tërësisht të lidhura. Asociacioni është një detyrim ekzistues, që duhet të zbatohet. Propozimi franko-gjerman është shumë i mirë për të çuar përpara marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve, drejt një paqeje të qëndrueshme. Ne do të punojmë njëkohësisht, sepse i duam të dyja”, i pyetur nëse themelimi i Asociacionit nga Kurti do të ishte rruga për ta inkurajuar Serbinë për të pranuar propozimin franko-gjerman.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më herët kishte thënë se për të drejtat e komuniteteve mund të diskutohet në kuadër të propozimit franko-gjerman.
Deklaratën e Escobar se Asociacioni dhe propozimi franko-gjerman s’janë të ndërlidhura mes vete plotësisht e ka shpërndarë edhe politikania Rada Trajkoviq e cila aktualisht edhe këshillon ministrin Nenad Rashiq.
Escobar dhe Lajçak bashkë me këshilltarët e Macron, Scholz dhe Meloni kanë vizituar të premten Prishtinën dhe Beogradin. Gabriel Escobar në një intervistë për VOA ka deklaruar prerë se SHBA-ja e kërkon me ngulm Asociacionin dhe sipas tij vetëm një njeri s’mund ta ndalojë themelimin, meqë Kosova e ka pranuar që ta themelojë.