Telekomi i Kosovës ka bërë të ditur sot se Bordi i Drejtorëve me vendim unanim ka zgjedhur Feim Kelmendin në pozitën e zyrtarit kryesor të financave dhe thesarit në Telekom.
Sipas njoftimit, përzgjedhja e Kelmendit ka ardhur pasi që i njëjti është vlerësuar nga Komisioni Vlerësues me më së shumti pikë nga të gjithë kandidatët për pozitën e lartcekur, shkruan lajmi.net.
Por, me një kërkim të shpejtë në rrjete sociale, Kelmendi shihet se është mbështetës i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, i afërt me zyrtarë të kësaj partie si dhe një përkrahës i flaktë i kryeministrit Albin Kurti.
Jo shumë kohë më parë, në nëntor të vitit 2022, Feim Kelmendi përmes një postimi në Facebook e kishte lartësuar kryeministrin Kurti duke e cilësuar si “qenie të kompletuar”.
“Foto sa 1 milion fjale! Qata qe thojne ska zot, ka me jau thy Zoti qafen, kush tjeter pos t’madhit Zot kish dite me kriju kete qenie kaq te kompletuar. Boll jam une ama ketij kerkund s’muj me ju ofru”, kishte shkruar Kelmendi në mbishkrimin e një fotografie të kryeministri Kurti, të cilën Kelmendi e kishte shpërndarë në rrjete sociale.
Në anën tjetër, Kelmendi ka foto në Facebook edhe me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, të cilën e ka shpërndarë në rrjete sociale në janar të vitit 2021, ndërsa ka edhe foto të tjera përmes së cilave shpreh hapur mbështetjen ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.
Kujtojmë se Bordi i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës ka konstatuar sot që i gjithë procesi i rekrutimit për pozitën e Zyrtarit Kryesor të Financave dhe Thesarit ka qenë transparent, i rregullt dhe në bazë të Ligjit, Kodit të Etikës dhe Qeverisjes Korporative. /Lajmi.net/