Presidentja Vjosa Osmani, gjatë takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, ka diskutuar edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Kështu thuhet në njoftimin për media të Presidencës, më 12 mars, pas takimit që ata patën në Prishtinë.
“Në lidhje me zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani ka theksuar se plani i zbatimit të marrëveshjes duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës, e cila do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon, gjersa ka ritheksuar se koordinimi i Kosovës me aleatë në këtë proces do të vazhdojë”, thuhet në njoftim.
Më 27 shkurt në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e pranuan planin evropian për normalizimin e raporteve. Bartësit e dialogut, po ashtu, u shprehën të gatshëm të punojnë në planin për zbatimin e këtij propozimi.
Dokumenti prej 11 nenesh – që u bë publik nga BE-ja – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.
Megjithatë, në nenin 2 të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.
Rundi i ri i dialogut është caktuar të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, dhe sipas BE-së, qëllimi kryesor tani është që palët të arrijnë pajtim rreth një plani si dhe modaliteteve për zbatimin e propozimit evropian.
Veç dialogut, Osmani tha se me ministrin grek ka diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në rajon dhe forcimin e bashkëpunimit dypalësh në mes të Kosovës dhe Greqisë.
“Kosova vazhdon të jetë e angazhuar për paqe afatgjate në rajon, forcim të demokracisë dhe integrim të plotë në institucionet euroatlantike”, shkroi Osmani në Facebook.