Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim emisarin e SHBA-ve për dialogun, Gabriel Escobar, me të cilin diskutuan për takimin e Ohrit, raporton atvlive.tv.
Në konferencën për shtyp pas takimit, Escobar tha se është shumë optimist për një rezultat pozitiv nga takimi në Ohër.
“Jam shumë optimist për mundësinë për një zgjidhje paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe shpresoj se pas të shtunës do të kemi lajme të mira”, tha Escobar.
Ai tha se SHBA ka për qëllim që të mbështetë çdo rezultat që sjellë paqen më afër rajonit dhe intensifikon mundësitë për Kosovën, për Serbinë dhe pjesën tjetër të rajonit që të bëhen antare të plota të komunitetit euroatlantik.
“Ne mendojmë se ky propozim evropian i lehtësuar përmes dialogut të BE-së, është një mundësi e jashtëzakonshme për paqe të qëndrueshme ndërmjet dy vendeve të rëndësishme të rajonit dhe si mbështetësi më i madh i Kosovës në botë, ne kemi për qëllim që kjo të funksionojë për Kosovën dhe jo vetëm për Kosovën, por për tërë rajonin që të zhbllokohen prej atyre burimeve më të mira që Ballkani ia siguron vetes dhe krejt Evropës”, tha Escobar./atvlive.tv