Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz ka filluar fjalimin e saj në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me një ankesë se nuk iu është lejuar të flasë shqip njëlloj si Ivica Daçiqit në serbisht.
“Daçiq foli në gjuhën e popullit të vet dhe jo në gjuhën angleze edhe unë dua të flas në gjuhën shqipe, që është gjuha e popullit shumicë në Kosovë, por më është mohuar kjo e drejtë, andaj po vazhdoj në anglisht.”, tha Gërvalla.
Gërvalla ka thënë se raporti i UNMIK-ut për Kosovën ka gabime të vogla, të mesme e të mëdha, derisa ka thënë se aty nuk përmenden procese të rëndësishme pjesë e së cilave është Kosova, shkruan Paparaci.com.
“Lidhur me arritjen e shtetit tonë dhe pozicionimit në botë. Sa i përket raportit të UNMIKU-ut mund të themi se 90 nga gjithsej 100 pika, ka gabime të vogla, të mesme dhe të mëdha dhe ka gjëra që mungojnë. Problemet në Kosovë nga UNMIK-u janë gjëra të njohura. Ne jemi duke bërë punë dhe përkushtim për paqe dhe stabilitet, por UNMIK-u nuk po i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon, prandaj kjo më shpie mua tek çështja e zhvillimeve të rëndësishme për paqe dhe stabilitet, në raportin e UNMIK-ut procesi i Berlinit përmendet veç si fusnotë, as samiti i Berlinit, as samiti i mbajtur në Ballkanin Perëndimor, megjithatë procesi i Berlinit është procesi më strategjik sepse paraqet një pjesë integrale të përpjekjeve evropiane të Kosovës.”, tha Gërvalla.
Ajo ka thënë se në Berlin janë nënshkruar marrëveshje të rëndësishme, por Serbia dhe vendet ku presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dhe kryediplomati serb, Ivica Daçiq kanë ndikim nuk i kanë zbatuar marrëveshjet.
“Janë nënshkruar marrëveshje të rëndësishme në Berlin si njohja e diplomave, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia kanë zbatuar këto marrëveshje dhe Mali i Zi është afër, por shtetet në të cilat Daçiq dhe Vuçiq kanë ndikim, nuk e kanë zbatuar. Propaganda vazhdon. Është fakt i njohur ndërkombëtar, nga miq e jo miq, se Kosova kur pranon diçka e mban fjalën, kjo nuk vlen për Daçiqin, Vuçiqin dhe kolegët e tyre. ADN-ja e tyre politike e bën të pamundur këtë. Nëse premtimet nuk mbahen, marrëveshjet bëhen fazë dhe kjo tregon mosrespekt për tërë komunitetin diplomatik.”, tha Gërvalla.
Ajo ka thënë se Serbia ka qëllim diplomatik moslejimin e Ballkanit Perëndimor të integrohet në Evropë, ndërsa i ka akuzuar liderët serbë për anashkalim të marrëveshjeve ndër vite.
“Qëllimi diplomatik është moslejimi i integrimit të Ballkanit në Evropë dhe prapa kësaj janë rusët me partnerin e tyre që është Serbia. Është e rëndësishme të merren masa. Shumë njerëz po thërrasin për sanksione ndaj Serbisë sepse nuk ka marrëveshje me mashtrues, ata meritojnë ndëshkime. Serbia ka anashkaluar marrëveshjet e vitit 2011, 2013 dhe 2015, Vuçiq e Daçiq janë fajtorët kryesorë për këto shkelje. Nuk mund të neglizhojmë kërcënimin e vërtetë që ekziston nga Rusia dhe Serbia sepse kemi parë se çfarë agresioni paraqet Rusia ndaj një shteti paqësor. Dhe Kosova ka marrë vendime për të mbrojtur qytetarët dhe ka qëndruar krah për krah me Ukrainën dhe Kosova qëndron përkrah partnerit të vet, Ukrainës.”, tha Gërvalla.
Gërvalla ka thënë se Serbia nuk e ka përnjëmend synimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, derisa ka thënë se ka marrëdhënie diplomatike me Rusinë dhe jo me Bashkimin Evropian.
Ajo ka zhvlerësuar tërësisht rolin e Serbisë në OKB pasi ka thënë se ky shtet e ka ndihmuar Rusinë në agresionin e saj ndaj Rusisë.
“Ata pretendojnë se synojnë t’i bashkëngjiten BE-së, mbajnë këtë qëndrim. Serbia synon se ka aspirata evropiane, por ne e dijmë, Vuçiq pretendon se është partner evropian por tregon vet me marrëveshjet që ka nënshkruar, në vend të sanksioneve ndaj Rusisë, Serbia në mënyrë aktive e vë vetën në dispozicion si inkubator për marrëveshjet ruse. Në vend të marrëdhënieve të jashtme me BE-në, ajo mban politikë të jashtme me Rusinë. Serbia para OKB-së nuk vlen asgjë sepse i ka ndihmuar Rusisë për shkatërrimin e Ukrainës. Vuçiq dhe Daçiq kanë qenë përkrahës të një luftë më të tmerrshme racore që nga ajo e nazizmit. Putini ka çuar trupa në vitin 1999 në Prishtinë dhe edhe sot Putin po çon trupa, këto janë trupat brutale të Wagner që po dërgohen akoma edhe sot këndej.”, tha ajo.
Ajo ka thënë se Putini ka dërguar trupa në Kosovë, ndërsa Daçiq ka heshtur për këtë pasi Rusia është aleati më i afërt i Serbisë.
“Daçiq nuk përmendi asgjë për këtë. Rusia si aleati më i afërt i Serbisë është kërcënimi më i madh i rajonit. Serbia ka vendosur si program qeveritar një version 2.0 të Serbisë së Madhe, një dokument patologjik i ideologjisë hakmarrëse që synon një hakmarrje 500 vjet të vjetër në vend që t’i kthejë sytë nga e ardhmja. Ka arsye strategjike pse paqja, stabiliteti janë të mundshme për rajonin në mënyrë që konflikti të mund të largohet. Prezenca e trupave të NATO-s dhe atyre amerikane pengojnë që të mund të ndodh një agresion rus apo serb në Kosovë, përkundër aktiviteteve spiune të Rusisë, përkundër pranisë së aeroplanëve luftarakë serbë pranë shtetit tonë, përkundër propagandës dhe aleancës me krimin e organizuar është e qartë nga e gjithë kjo se pa prezencën e NATO-s dhe SHBA-ve, do të mund të kishte luftë.”, tha Gërvalla.
Ajo ka përmendur festën e 15 vjetorit të pavarësisë dhe parakalimin e FSK-së, derisa ka thënë se Serbia po e rrit varësinë ndaj Rusisë me marrëveshjet për politikë të jashtme të përbashkët.
“Më 17 shkurt, Kosova festoi 15 vjetorin e pavarësisë, me një atmosferë të jashtëzakonshme dhe frymë të mirë. Kjo nuk përmendet në raportin e UNMIK-ut, Kosova u urua nga gjithandej botës, në Prishtinë ka pasur paradë paqësore të Forcave të Sigurisë dhe Policisë në këtë ditë. Ushtria e Kosovës është moderne, është duke u rritur dhe po zhvillon përvojë ndërkombëtare dhe Kosova e thotë me krenari se së bashku me partnerët jemi siguri e paqes në rajon. Jemi të gatshëm të jemi më afër e më thellësisht të integruar në NATO sepse kjo i shërben paqes dhe sigurisë tonë dhe Kosova është krenare që iu qëndron afër shteteve. Serbia po e rrit varësinë ndaj Rusisë sidomos me një marrëveshje të Lavrov me homologun serb për të forcuar diplomacinë e përbashkët. Kurrë më Kosova nuk do të jetë e pambrojtur dhe viktimë e një gjenocidi dhe kurrë më nuk do të ketë shkatërrim, kurrë më nuk do të ketë gjenocid nga Serbia, kurrë më, ne me aleatët tonë nuk do të qëndrojmë të pambrojtur.”, tha Gërvalla. /Paparaci.com/