Klan Kosova: Veprim i padrejtë, arbitrar dhe me primesa autokratike

0
144

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që udhëhiqet nga ministrja Rozeta Hajdari, përmes një komunikatë për medie, ka njoftuar se i është pezulluar licensa “Klan Kosovës”. E gjitha ka nisur pas një kallëzimi penal që MINT ka bërë në Departamentin e Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës. Klan Kosova ka reaguar pas vendimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në lidhje me pezullimin e lincencës së këtij televizioni.

Në një komunikatë, që u lexua edhe në lajmet qendrore të këtij televizioni, Klan Kosova ka shprehur shqetësimin në lidhje me këtë vendim.

“Klan Kosova shpreh shqetësimin lidhur me njoftimin e orëve të pasdites të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë se e njëjta ka iniciuar kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës, ndaj KLAN KOSOVA SHPK, si dhe se është marrë vendim për atë që e kanë quajtur “pezullim të certifikatës së biznesit”.” – tha ndër të tjera moderatori i Klan Kosovës që e lexoi këtë komunikatë.

 

Klan Kosova e ka konsideruar si vendim arbitrar e të padrejtë.

“Derisa nuk marrim njoftime të tjera, ne besojmë se ky veprim është krejt i padrejtë, arbitrar dhe me primesa autokratike, i pa bazuar në ligj, i cili në secilën rrethanë i bie tentim i mbylljes së një mediumi, tentim i shkeljes së lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes.” – thuhet tutje në komunikatë.

Çka vendosi Ministria e Industrisë?

Në njoftimin e Ministrisë, kuptohet se MINT ka ushtruar një kallëzim penal për shkak të dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare të zyrtarëve përgjegjës në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka iniciuar kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës, ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.” – thuhet që në hyrje të komunikatës së Ministrisë.

Kujtojmë që televizioni Klan Kosova është një nga televizionet më të mëdha të Kosovës dhe në publik njihet se është pronë e Shkëlqim Devollit, biznismen nga Peja. Ndryshe, para disa ditëve, Adriatik Kelmendi ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit gjeneral të Klan Kosovës.

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here