Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë një adresimi drejtuar qytetarëve për Vitin e Ri 2023, ka uruar që vit i ri të jetë vit i shpresës, por mbi të gjitha të jetë vit i veprimit për të avancuar gjithnjë e më shumë demokracinë dhe ekonominë tonë, si dhe për të konsoliduar gjithnjë e më tepër prezencën dhe imazhin në çdo cep të botës.
Osmani tha se pavarësisht sfidave që na kanë përcjellë nëpërmjet dedadave, populli jonë ka dëshmuar se është shpresëplotë dhe i përkushtuar për një të ardhme më të ngritur.
“Sonte përderisa mblidheni me familjen, shoqërinë, njerëzit tuaj të dashur, shpresoj që po ashtu të kujtoni gjërat për të cilat jeni mirënjohës e gjithashtu të reflektoni se si mund t’i kapërcejmë kolektivisht disa nga sfidat me të cilat përballeni si shoqëri e si vend. Jam e vetëdijshme se momenti i ndërrimit të motmoteve do t’iu gjejë disa nga ju në ambientet e punës, duke i shërbyer vendit tuaj e duke ndihmuar ekonominë tonë. Të gjithë juve u jemi pafundësisht mirënjohës e ju falënderojmë “, ka thënë ajo.
Osmani është ndalur edhe të baskatdhetarët tanë të cilëve iu uroi mirëseardhje në vendin e tyre.
“Jemi vërtet të lumtur t’u kemi në mesin tonë, dua edhe juve t’iu falënderoj që vazhdoni të jeni sytë tanë e zëri ynë në kryeqendra anembanë globit. Nuk do të pretendoj që ka qenë një vit i lehtë me gjithë sfidat e sigurisë globale që kanë rezultuar me sfida ekonomike e të energjisë, të cilat janë ndjerë nga secila familje në Kosovë. Duhet edhe shumë mund e shumë punë e vazhdueshme për të adresuar këto sfida me sukses. Por po këtë vit kemi shënuar edhe arritje e suksese të shumta, megjithatë ne nuk dihet t’i marrim ato si të mirëqena, ne duhet të punojmë gjithnjë e më shumë, gjithnjë e më mirë. Si një vend i vogël ne po shënojmë gradualisht historinë tonë moderne me sukseset që na bëjnë krenar dhe ambiciet e shëndosha që na shpijnë gjithnjë e drejt majave më të larta”, tha ajo, duke shtuar se në këtë rrugëtim ka qenë e vlefshme ka qen mbështetja e aleatëve tanë ndërkombëtar dhe se do të vazhdojnë edhe në të ardhmen në koordinim me ata.
Ajo falënderoi pjesëtarët e FKS-së dhe Policisë së Kosovës për kontributin e tyre, derisa shtoi se sfidë mbetet edhe dhuna ndaj gruas, dukuri kjo e cila duhet të luftohet e të jetë prioritet shtetëror.
“Uroj që ky vit i ri të jetë vit i shpresës, por mbi të gjitha të jetë vit i veprimit, një vit ku do të veprojmë bindshëm e me përkushtim në çdo drejtim për të arritur synimet tona të përbashkëta, për të avancuar gjithnjë e më shumë demokracinë dhe ekonominë tonë e për të konsoliduar gjithnjë e më te[për prezencën dhe imazhin në çdo cep të botës, gëzuar vitin e ri 2023”, tha ajo.