Një analizë e botuar muajin që shkoi nga AShAK-u, e që u komentua gjerësisht pasi Nacionale publikoi disa shkrime për përmbajtjet e kritikueshme, po vazhdon ende të jetë në qendër të debatit. Për këtë çështje është mbledhur edhe vetë Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovoës.
Sesioni i Shkencave Sociale në AShAK, ka theksuar se teksti i botuar në faqen zyrtare të AShAK-ut është tekst i Mehmet Krajës, kryetar i AShAK-ut, dhe i paautorizuar për publikim.
“1. Seksioni i Shkencave Shoqërore distancohet nga Dokumenti i publikuar në faqen zyrtare elektronike të AShAK dhe sqaron se ai është tekst i Kryetarit të Akademisë, z. Mehmet Kraja, i paautorizuar për publikim. Seksioni, që në fillim e ka kundërshtuar publikimin e këtij teksti joshkencor në emër të Akademisë, që shihet nga Procesverbali i mbledhjes së 26 janarit 2022!” – thuhet aty.
Madje në deklaratën e tyre, ky Sesion ka kritikuar Krajën për sjellje imponuese dhe arbitrare.
“Seksioni i Shkencave Shoqërore ka kohë që ia ka tërhequr vërejtjen Kryetarit të ASHAK-ut z. Mehmet Kraja për sjelljet imponuese e arbitrare, e që po e lëndojnë rëndë dinjitetin e institucionit në krye të të cilit është. Me qasjen e tij jo-akademike dhe veçanërisht me publikimin e këtij dokumenti joshkencor, të hartuar nga vet ai, si drejtues i një institucioni prestigjioz shkencor, artistik dhe kulturor, sjellë përçarje me pasoja të rënda për vet Akademinë.” – thuhet tutje.
Tutje, në komunikatë thuhet se AShAK-u ka kërkuar reflektim nga ana e Krajës për dëmin e shkaktuar ndaj Akademisë. E në rast të mungesës së refletimit, ata kanë paralajmëruar veprime tjera statutore.
“Për shkak të papërgjegjësisë dhe veprimeve imponuese dhe arbitrare, Seksioni i Shkencave Shoqërore kërkon nga z. Kraja reflektim institucional dhe moral për dëmin e shkaktuar ndaj Akademisë dhe publikut të gjerë.
Nëse z. Kraja nuk reflekton karshi përgjegjësisë institucionale dhe morale, Seksioni i Shkencave Shoqërore do të iniciojë veprime të tjera statutore.” – përfundon komunikata e AShAK-ut.
Analiza
Siç shkroi Nacionale, analiza 38 faqe e AShAK-ut është e mbushur me interpretime të debatueshme e të kritikueshme. Ndonëse pa autor të përveçëm, analiza merret me marrëdhëniet mes shqiptarëve e të serbëve, duke u përpjekur që të ofrojë një histori të përgjithshme, që nga koha e Betejës së Kosovës e deri te situata më e re në veriun e Kosovës.
Përveç pa autor, raporti i AShAK-ut nuk ka as fusnota dhe gjuha e përdorur shpesh është politikisht jokorrekte, duke i ngjarë më shumë një fletërrufeje sesa analizës së mirëfilltë. Për më shumë, dokumenti ka edhe gabime të shumta drejtshkrimore e çalime të fakteve, por edhe gjuhë paranojake e paragjykuese ndaj Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Partisë Socialiste e Partisë Demokratike të Shiqipërisë dhe fesë islame. Në fakt, gjuha e përdorur nga AShAK-u përputhet me narrativën e LV-së kundrejt fenomeneve politike e shoqërore në Kosovë e në Ballkanin Perëndimor.
Në analizën e gjatë, institucioni më i lartë i shkencës dhe i arteve, që udhëhiqet nga akademik Mehmet Kraja, i cili e ka botuar analizën edhe në profilin e tij në Facebook, ka lëshuar akuza të shumta ndaj ish-pushteteve në Kosovë, duke i akuzuar ato për keqqeverisje, korrupsion e krim.
Për më shumë, nëpërmjet një gjuhe aspak korrekte, AShAK-u e “godet” edhe ish-presidentin Hashim Thaçi, duke e akuzuar se e ka futur ndarjen e Kosovës në agjendë për ta shpëtuar veten nga Gjykata Speciale. Madje, AShAK-u akuzon ish-ushtarët e UÇK-së të shndërruar në politikanë si uzurpues të pushtetit, duke shkruar se të njëjtit bënë krime e korrupsion.
I titulluar “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, në tekstin me 39 faqe, AShAK-u i komenton edhe Serbinë, Kishën Ortodokse, BE-në, Planin e Ahtisarit, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Edi Ramën, Vetëvendosjen, Ali Ahmetin, BIK-un, Turqinë, fundamentalizmin islamik, Gjykatën Speciale e shumë çështje të tjera.
Për më tepër, AShAK-u e akuzon edhe shtetin e Kosovës se “pranoi” njohje të sponsorizuara të shtetësisë në mënyrë korruptive.
“Kosova bëri gabim të madh që pranoi njohje të sponsorizuara në mënyrë korruptive, sepse Serbia, po me korrupsion, njohjet e tilla i bëri pothuajse të papërdorshme etj.” – thuhet në analizën e këtij institucioni. /Nacionale.com