Propozimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, i cili u bë publik pas takimit të fundit në Bruksel, parasheh krijimin e një komiteti të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Politologë e juristë thonë se ky mekanizëm mund të përbëhet nga përfaqësues të Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të arritjes të sa më shumë rezultateve në praktikë.
Ndonëse e diskutuan gjatë, të hënën e 27 shkurtit, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuqiq, nuk e nënshkruan propozimin e BE-së të titulluar “Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Kjo marrëveshje e përbërë nga 11 nene dhe Udhërrëfyesi për zbatimin e saj mund të nënshkruhen gjatë marsit.
Për zbatimin e kësaj ujdie dhe gjithë të tjerave të nënshkruara në kuadër të dialogut në Bruksel, neni 10-të i planit evropian parasheh që “palët do të krijojnë një komitet të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje”.
Sipas të njëjtit nen, të dyja palët konfirmojnë detyrimin për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese.
Duke folur për krijimin e këtij mekanizmi, profesori i shkencave politike, Bekim Baliqi, tha për Radio Kosovën se zakonisht komisione të tilla përbëhen nga qeveritë e dy palëve dhe një ndërmjetësues, dhe bëhen me qëllim të arritjes së sa më shumë rezultateve në praktikë.
“Ky komision do të jetë një lloj grupi punues i cili e përcjell punën dhe çfarëdo vërejtjeje apo komenti që ka, shkon duke i adresuar me kohë dhe duke kërkuar që të implementohet. Pra, po kalon në fazën e çështjeve teknike të marrëveshjes dhe kjo ndoshta mund të jetë faza më e vështirë, sepse nuk mjafton të themi një fotografim apo edhe pajtimi në parim, por janë detajet ato që përcaktojnë tempin dhe rezultatin e përgjithshëm të kësaj marrëveshjeje”, tha Bekim Baliqi.
Juristi Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se puna kryesore e këtij komiteti do të jetë monitorimi dhe shtyrja e zbatimit të 33 marrëveshjeve të arritura në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Se sa do të ketë sukses varet nga ajo se sa BE-ja dhe SHBA-ja do të jenë këmbëngulëse të kërkojnë rezultate, dhe në njëfarë mënyre të obligojnë dhe shtyjnë si Kosovën po ashtu edhe Serbinë për të përmbushur obligimet që i kanë nga marrëveshjet e deritanishme, në mënyrë që më pas të kenë më të lehtë të kërkojnë llogari për përmbushjen e obligimeve”, tha Miftaraj.
Në propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, askund nuk përmendet njohja e Kosovës.
Direkt nuk përmendet as Asociacioni i komunave me shumicë serbe, i cili, referuar planit evropian duhet të krijohet bazuar në marrëveshjen e vitit 2013, të nënshkruar nga Kosova dhe Serbia.