Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka deklaruar se viti 2022 ka qenë sfidues me shumë raste që cenojnë të drejtat e njeriut.
Qelaj ka folur për çështjen e të drejtës për jetë, gjendjen e personave me aftësi të kufizuara dhe Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
“Ka qenë vit sfidues, kjo për faktin se qysh në fillim të vitit patëm disa raste që cenuan ndjeshëm të drejtat e njeriut. Filloi viti me një vrasje të një gruaje nga bashkëshorti i saj, pastaj pati shumë zhvillime në komplet shoqërinë tonë që ndikuan drejtpërdrejt edhe në punën tonë dhe nuk arritëm në mënyrë të duhur t’i përmbahemi agjendës dhe planifikimeve që i kishim bërë prej vitit paraprak”, ka thënë Qelaj për KP.
Sipas tij, janë mbi një mijë e 500 ankesa nga qytetarët që janë deponuar në Institucionin e Avokatit të Popullit.
“Janë ushtruar 1514 ankesa në institucionin e Avokatit të Popullit. Struktura për nga aspekti racional është e përafërt me strukturën e demografike që ka popullata. Vërehet një tendencë në rritje të ushtrimit të ankesave nga komunitetet jo-shumicë, gjë që neve na bën me u ndje mirë për faktin se gëzojmë besueshmëri edhe tek qytetarët e komuniteteve tjera. Ndërsa, listës së pretendimeve se cila e drejtë u është cenuar vazhdon me i pri si çdo vit tjetër për nga numri ankesat për mungesën e së drejtës apo mohimit të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm që lidhen kryesisht me zvarritje të procedurave gjyqësore”, deklaron Qelaj.
Nga rekomandimet që ka nxjerrë Avokati i Popullit, vitin e kaluar nuk janë zbatuar as gjysma e tyre.
Nga këto rekomandime, prej tyre janë 13 raste të hetimeve nga ankesat e qytetarëve dhe mbi 100 letra-rekomandime.
Institucioni i Avokatit të Popullit ka kategorizuar tri fusha me të cilat është marrë gjatë vitit të kaluar.
“Kryesisht tema që kemi trajtuar gjatë këtij viti mund t’i ndajë ose grupuar në tri çështje më kryesore, e para ka të bëjë me të drejtën për jetë, mbrojtjen nga dhuna në familje si rezultat i vet situatës që u krijua nga rasti i vrasjes së gruas në Llaushë, pastaj dhe në fund të vitit me dy raste tragjike që e tronditën krejt shoqërinë, e në këtë rast edhe neve si institucion i Avokatit të Popullit”.
“Çështja e dytë që kemi trajtuar ose segmenti i dytë me të cilin jemi marrë shumë ka të bëjë me gjendjen e personave me aftësi të kufizuara, respektimin e të drejtave të tyre, duke iu bashkangjitur fushatës me të cilën u shpall ky vit, si vit i aftësisë së kufizuar. Ideja ka qenë me qenë më afër qytetarëve, vet personave me aftësi të kufizuara, kemi arritur të organizojmë diku rreth 13 tryeza në qendra të ndryshme të Kosovës”, shtoi Qelaj.
Qelaj po ashtu ka theksuar se ka defekte edhe në zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi nga vetë zyrtarët që janë kompetentë për ta bërë një gjë të tillë.
“Fusha e tretë ku jemi marrë shumë këtë vit është analizimi i Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Edhe këtu kemi parë që ka shumë defekte në zbatimin e këtij ligji, duke filluar nga informimi i publikut për përmbajtjen që ka ky ligj, për të drejtat që siguron dhe garanton, për mekanizmat për t’i trajtuar rastet e diskriminimit e deri te pjesa e vet informimit apo vetëdijesimit të vet zyrtarëve që janë kompetentë për të zbatuar ligjin, siç janë gjykata, organet administrative dhe organet e tjera e duke përfshirë pozitën edhe të vetë zyrtarëve për mbrojtjen nga diskriminimi dhe barazi gjinore”, shprehet ai.