Janë kryer bastisje në lokalin “Kobra City” dhe në shtëpinë e Dibran Hoxhës. Në vendngjarje janë gjetur të paktën tri gëzhoja plumbash si dhe është hasur lokali i demoluar.
Këto informacione për Gazetën Express i dha zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
“Ka pas bastisje të objekteve dhe të shtëpisë. Janë gjetë së paku 3 gëzhoja, lokali i demoluar”, tha Bytyqi.
Ai tha se janë duke u analizuar provat dhe dyshimet janë që vrasja ka ndodhur jashtë lokalit.
Si pasojë e gjuajtjes me armë zjarri në lokalin “Kobra City” në dalje të Prizrenit, ka vdekur një 31-vjeçar dhe është plagosur një 27-vjeçar, të dy nga Kukësi. Zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi, konfirmon për Gazetën Express, se në mesin e personave që po intervistohen është edhe pronari i lokalit Dibran Hoxha i njohur si “Kobra”.
Ngjarja sipas policisë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm dhe lidhur me këtë policia është duke intervistuar disa persona, kryesisht stafin e lokalit “Kobra City”.
31-vjeçari vdiq rrugës për në spital, teksa i plagosuri po qëndron nën kujdesin e mjekëve dhe raportohet se është jashtë rrezikut për jetë.
Dyshohet se ngjarja tragjike ka ndodhur pas një konflikti në lokal me disa shtetas kosovarë.