“Ligji Zyrtarët publikë është një fitore e madhe e këtij viti sa i përket shtetndërtimit demokratik në Kosovë”, tha sot kryeministri Kurti në seancën e Kuvendit.
Kurti tha se ky ligj është baza për të krijuar një administratë publike profesionale e cila i përmbush detyrat e saj dhe kërkesat legjitime të qytetarëve. Me këtë ligj tha Kurti do të rritet konkurrueshmëria, dhe rrjedhimit edhe cilësia, shkruan Reporteri.net.
“Zyrtarët publikë është një fitore e madhe e këtij viti sa i përket shtetndërtimit demokratik në Kosovë dhe ky ligj është baza për të krijuar një administratë publike profesionale e cila i përmbush detyrat e saj dhe kërkesat legjitime të qytetarëve. Unë i ftoj profesionistët brenda vendit dhe nga mërgata që të aplikojnë në konkurse dhe të zgjedhin më të mirin. Kështu do të rritet konkurrueshmëria dhe rrjedhimisht edhe kualiteti në nivelin e nënpunësve të lartë drejtues”, tha Kurti në seancën e sotme të Kuvendit.
Por Bashkimi Evropian ka reaguar sot duke thënë se Ligji për zyrtarët publikë u miratua pa marrë parasysh komentet e ekspertëve.
Sipas BE-së, Ligji i ri për zyrtarët publikë është problematik në lidhje me sigurimin e një shërbimi civil të bazuar në merita.
“Ligji i ri për zyrtarët publikë është problematik në lidhje me sigurimin e një shërbimi civil të bazuar në merita që mund të menaxhojë efektivisht burimet njerëzore, pasi shton lirinë e tepruar në procedurat e rekrutimit, transferimit dhe disiplinës së nëpunësve civilë, duke e bërë shërbimin civil potencialisht të pambrojtur ndaj politizimit”- thuhet në reagimin e BE-së.
BE është shprehur e shqetësuar duke thënë se ky ligj u miratua pa marrë parasysh komentet e tyre.
“BE-ja shpreh keqardhjen që Kuvendi i Kosovës dje i ka miratuar këto dy ligje pa marrë parasysh komentet e BE-së dhe OECD/SIGMA, përkundër angazhimeve të MSA-së në këtë fushë”, u tha në reagaim.
Sipas njoftimit, komentet e BE-së kishin për qëllim të udhëzojnë dhe mbështesin më së miri qeverinë për të siguruar një shërbim civil të depolitizuar dhe profesional, në përputhje me parimet e reformës së administratës publike dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet BE-së dhe Kosovës.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 58 vota për, asnjë kundër dhe katër abstenime kanë miratuar të enjten në lexim të dytë Projektligjin për Zyrtarët Publikë.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca që vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka abstenuar për këtë Projektligj, ndërkaq kundër miratimit të këtij kanë dalë PDK, LDK dhe AAK, pasi, sipas tyre ky ligj është i dëmshëm dhe i rrezikshëm për administratën publike.
Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se do ta dërgojë në Kushtetuese këtë ligj. Sipas PDK-së, Ligji për Zyrtarët Publikë bie ndesh edhe me detyrimet që Kosova ka marrë ndaj Bashkimit Evropian përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe parimet evropiane për administratën publike. /Reporteri.net