Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, ka uruar popullin e Kosovës për 15-vjetorin e Pavarësisë.
Në letrën e tij, Blinkeni ka thënë se Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në këta 15 vjet, duke shprehur mirënjohje për rreshtimin e saj krah vendeve perëndimore në rastin e Afganistanin dhe luftën e Rusisë në Ukrainë.
“Përparimi i Kosovës gjatë pesëmbëdhjetë vjetëve të Pavarësisë është i jashtëzakonshëm për hapat e saj të mëdhenj në zhvillimin e një demokracie të qëndrueshme, multietnike dhe gjithëpërfshirëse. Kosova është një nga vendet më të reja në botë; qytetarët e saj me të drejtë janë krenarë për progresin që ka bërë Kosova në promovimin dhe avancimin e vlerave demokratike dhe forcimin e institucioneve për të ofruar qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe mundësi ekonomike për të gjithë kosovarët. Ne jemi thellësisht mirënjohës për pritjen bujare të Kosovës të afganëve të zhvendosur, përgjigjen e prerë të Kosovës ndaj luftës brutale dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës dhe për ndihmën ndaj gazetarëve dhe të tjerëve që kërkuan strehim në vendin tuaj”, thuhet në letrën e Blinkenit.
Ai ka përmendur bashkëpunimin ndërmjet SHBA-së e Kosovës, duke nënvizuar edhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor e duke përmendur këtu normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Blinkeni ka thënë se njohja reciproke është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë.
“Mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin për prioritetet tona të përbashkëta për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, i fokusuar në njohjen eventuale reciproke, mbetet thelbësor për këtë. Marrëveshja e propozuar së fundmi në kuadër të sialogut të lehtësuar nga BE-ja ka mbështetjen tonë të fortë dhe do ta çojë në masë të madhe vendin tuaj drejt stabilitetit më të madh rajonal dhe integrimit evropian dhe euroatlantik”, ka shtuar Blinken.