Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor më 3 nëntor kanë nënshkruar tri marrëveshje që ndërlidhen me lirinë e lëvizjes dhe njohjen e diplomave. Marrëveshja e cila është diskutuar më së shumti është ajo për lirinë e lëvizjes me letërnjoftime, që nënkupton se Bosnja e Hercegovina do të heq regjimin e vizave për kosovarët.
Por kur finalizohen këto marrëveshje dhe kur kosovarët mund ta vizitojnë Sarajevën vetëm me kartelë identiteti? Për këtë në një përgjigje për Gazetën Express kanë folur nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal që është në kuadër të Procesit të Berlinit.
Nga RCC-ja kanë thënë se këto tri marrëveshje të nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit dhe Tregut të Përbashkët Rajonal duhet të ratifikohen, të pranohen dhe aprovohen në nivelin kombëtar të secilit prej shteteve nënshkruese.
“Pas ratifikimit në nivel shtetëror, palët depozitojnë edhe notën formale të ratifikimit, pranimit apo aprovimit”, thuhet në përgjigje.
Sa i përket konkretisht marrëveshjes për liri të lëvizjes, ajo futet në fuqi 30 ditë pasi të jetë dorëzuar edhe nota formale e ratifikimit.
“Sa i përket lirisë së lëvizjes me kartela identiteti, ajo hyn në fuqi 30 ditë pasi të jetë dorëzuar ratifikimit”, thuhet në përgjigjen e RCC për Gazetën Express.
Ndërkohë Marrëveshja për Njohjen e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë hyn në fuqi brenda 3 muajve pas ratifikimit, ndërsa ajo për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale mund të zgjasë deri në 18 muaj.
Nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal kanë thënë për Gazetën Express se janë në kontakte të rregullta me të gjitha shtetet nënshkruese rreth procesit të ratifikimit.
Sipas tyre është në interesin e të gjithë që marrëveshjet të fillojnë së implementuari sa më shpejt të jetë e mundur dhe janë optimist se diçka e tillë do të ndodh sa më shpejt të jetë e mundur.
“RCC është në kontakt të rregullt me të gjithë nënshkruesit e marrëveshjeve në lidhje me proceset e ratifikimit. Është në interesin e të gjithëve që Marrëveshjet të fillojnë të zbatohen sa më shpejt, ndaj jemi optimistë se kjo do të ndodhë në kohën më të shkurtër të mundshme”, kanë thënë për Gazetën Express.
Problem kryesor për lëvizjen vetëm me kartela të identitetit në mes të Kosovës dhe Serbisë është kreu i “Republika Srpska”, Millorad Dodik. Për shkak të mënyrës së si funksionon shteti boshnjak, do të jetë e pamundur që të ratifikohet marrëveshja për lëvizje vetëm me letërnjoftime pa marrë edhe “po”-në e Dodikut. Kreu i “Republika Srpska” vazhdon të jetë edhe arsyeja kryesore pse Bosnja vazhdon të mos e njohë Kosovën si shtet./GazetaExpress/