Çlirimi nga vetvetja dhe dhe ri-definimi i rolit të gazetarëve

0
144

Nga Abit Hoxha

Solidarizimi mes gazetarëve është fenomen që e tejkalon konkurrencën për ta mbledhur, prodhuar e transmetuar lajmin për publikun. Sfida kundër medieve në Kosovë, që së fundmi është manifestuar me presionin publik për televizionin “Klan Kosova” nga institucionet shtetërore, shënon një moment shumë të rëndësishëm për perceptimin e rolit të gazetarit në shoqëri dhe për organizimin e mëtutjeshëm të gazetarëve rreth të vërtetës si mision. Si sfidë, duhet të shërbejë për ta mprehur rolin e gazetarit në shoqëri dhe për ta konkretizuar faktin se pushteti i katërt është i pavarur nga tri pushtetet e tjera dhe, për këtë, garanci është sovrani më i lartë se zyrtarët e zgjedhur, që janë vetëm palë me konflikt interesi në ndeshjen e pushteteve.

Filozofi gjerman, Immanuel Kant, vlerëson se e vërteta flitet nga ata që “e kanë arritur privilegjin për ta çliruar veten”. Ky çlirim për gazetarët vjen në momentin kur roli i tyre imagjinar në shoqëri definohet përballë pushtetit dhe autoritetit. Përgjatë viteve të 90-a, në fillim të krijimit të medieve të pavarura për shqiptarët në Kosovë, perceptimi i rolit ishte që ato t’i ndihmonin autoritetin dhe pushtetin për të krijuar një identitet politik, i cili si qëllime i kishte mbijetesën dhe kundërshtimin e dhunës së aparatit shtetëror serb. Ky bashkëdyzim i interesave të medieve dhe politikës ka prodhuar një rol të veçantë të gazetarit, i cili bashkëjeton me politikën, për t’u shërbyer qëllimeve të përbashkëta në funksion të mbijetesës dhe ndërtimit të shtetit e zhvillimit. Natyrisht, gazetarët e viteve të 90-a nuk e kanë pasur privilegjin që ta çlironin veten në asnjë formë, pasi ishin fizikisht dhe mendërisht të okupuar nga një armik i jashtëm dhe i brendshëm, që ishte Serbia – instinkti për mbijetesë.

Përgjatë luftës, çlirimi i gazetarëve u mboll si ide në një numër të vogël të gazetarëve që ishin të paiisur me një apo më shumë gjuhë të huaja dhe u kontraktuan nga gazetarët ndërkombëtarë, të cilët i mbulonin ngjarjet në Kosovë. Kjo farë e gazetarisë së pavarur rezultoi me gazeta dhe medie të tjera që e simuluan lirinë e medieve, duke e imagjinuar veten si të lirë për të prodhuar raportime që e ndërkombëtarizuan çështjen e Kosovës, rrjedhimisht duke i sjellë lajmet për publikun vendimmarrës në botë. Pra, ky privilegj për ta çliruar vetveten ishte ndarë përgjysmë, për arsye se gazetarët e kishin lirinë për të sjellë pikëpamje kritike për audiencën jashtë Kosovës, ndërsa ishin të sfiduar si profesionistë për ta ndihmuar publikun brenda Kosovës, së bashku me institucionet e menduara që simulonin struktura shtetërore.

Pas luftës, në Kosovë, gazetarët nuk arritën që ta kishin privilegjin e çlirimit nga vetvetja për shkaqe të ngjashme si ato të viteve të 90-a dhe për shkak të ndërtimit të strukturave imagjinare, si ato identitare dhe praktike, si ato institucionale të shoqërisë. Intervenimi ndërkombëtar, së bashku me shumë të mira, solli edhe një lloj sfide tjetër, atë të ndërtimit të shtetit dhe të kombit. Ndërtimin shtetëror gazetarët e ndihmuan deri në vetëcensurë për shkak të ndjenjës së sfidës së përbashkët me qeverinë për të përparuar. Historia e përbashkët dhe projekti politik kombëtar, gjithashtu, u ndihmuan nga gazetarët që pareshtur punuan për t’i zbardhur krimet, për të kërkuar drejtësi për viktimat e, gjithashtu, në rol jotradicional për gazetarët, edhe duke organizuar demonstrata dhe protesta në përkrahje të kauzave politike. Gazetarët e panë rolin e tyre si luftëtarë të paepur të demokracisë dhe shumë shpesh e bashkërenduan agjendën me shtetin për suksesin e përbashkët.

Solidarizimi me shtetin sot duhet të zëvendësohet me solidarizim për njëri-tjetrin, si pushtet i ndarë nga ekzekutivi, legjislativi dhe gjyqësori. Presioni që u bëhet mediave nga tri pushtetet e para duhet të shërbejë si mprehje e pushtetit të katërt dhe parapërgatitje për privilegjin e çlirimit nga vetvetja për ta përmbushur rolin e gazetarëve në shoqëri, ku metoda e mbledhjes së fakteve është objektive dhe raportimi është neutral, me aspiratë për pavarësi ekonomike, politike e duke u rezistuar ndikimeve të traditës, identitetit dhe kontekstit social.

Sfidimi nga autoriteti për mediet në Kosovë duhet të shërbejë si arsye për çlirimin nga vetvetja dhe zhveshje nga influencat gjenerike kulturore dhe specifike që vijnë si rezultat i luftës për ta krijuar rolin ideal të intelektualit publik, i cili në përshkrimin e Michael Foucault-it, ia thotë të vërtetën autoritetit pa menduar për pasojat sociale e politike.

* Autori është profesor asistent në Universitetin e Agder-it ne Norvegji. Pikëpamjet janë personale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here