Dëshmitarja e parë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), do të dëgjohet edhe të enjten në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Të martën dhe të mërkurën ajo ka dëshmuar nën masa mbrojtëse dhe intervistimi i saj është bërë tërësisht në seancë të mbyllur për publikun.
Pas përfundimit të pyetjeve të ZPS-së, dëshmitarja është përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.
Përveç Thaçit, në gjykatore në Hagë janë parë edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi të cilët kanë marrë pjesë fizikisht në procesin gjyqësor ndaj tyre.
Pas më shumë se dy vjet në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Ata po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.