Janë bërë pesë ditë prej që policia serbe ka kidnapuar brenda territorit të Kosovës, tre pjesëtarë të policisë kufitare.
E ngjarja bëhet akoma më e rendë me faktin se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd, ende nuk ka takuar policët e kidnapuar këtë për Pa Rrotlla e konfirmon Jetish Jashari shef i zyres nderlidhëse në Beograd.
Stafi i kësaj zyre akoma nuk ka vizituar policët e Kosovës që po mbahen në paraburgim, pavarësisht informacioneve që policët i janë nënshtruar një trajtimi krejtësisht çnjerëzor nga autoritetet serbe. Është e pa kuptimtë që policët nuk u vizituan nga asnjë organizatë humanitare.
Ata të premten dolën para trupit gjykues në Gjykatën e Kralevës e cila iu shqiptoi masën e paraburgimit prej një muajve, me akuzën për ‘posedim të paautorizuar të armëve’.
Kurti: Kemi lajme që ambasadori Jashari këtë javë do të takoi policët
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të dielën ka thënë se “sipas të gjitha gjasave”, shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd, Jetish Jashari në fillim të javës do të mund t’i vizitojë policët e paraburgosur në Serbi.
“Sipas të gjitha gjasave, në bazë të lajmeve që kemi, në fillim të javës që vjen, ambasadori Jetish Jashari, i cili përndryshe është shef i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd do të arrijë t’i vizitojë këta tre policë”, tha kryeministri.
Gjatë vikendit shefi i stafit në MPJ, Sharr Jakupi, ka thënë se të privuar nga ushqimi dhe uji, policët i janë nënshtruar një trajtimi krejtësisht çnjerëzor nga autoritetet serbe.
“Raporte thellësisht shqetësuese në lidhje me trajtimin e tmerrshëm të tre policëve tanë të rrëmbyer nga Republika e Kosovës, aktualisht të ndaluar në Kralevë. Pavarësisht se u është zgjatur paraburgimi për 30 ditë me akuzën për ‘posedim të paautorizuar të armëve’, krim i vërtetë janë kushtet e turpshme me të cilat po përballen”.
Ai është ankuar po ashtu se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd ka alarmuar autoritetet serbe dhe komunitetit ndërkombëtar për nevojën për trajtim mjekësor, por vetëm “është injoruar tërësisht nga autoritetet serbe”.
Roli i zyrës
Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi është themeluar me Marrëveshjen e Brukselit, të arritur në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, më 31.05.2013, në Bruksel.
Përgjegjësi parësore e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi është përcjellja e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, shikuar nga perspektiva e Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe adresimi i të gjitha problemeve që mund të paraqiten në baza ditore, përfshirë edhe me të cilat ballafaqohen shtetasit e Republikës së Kosovës me qëndrim në Serbi apo gjatë kalimit tranzit nëpër territorin e Serbisë.
Në këtë proces, Bashkimi Evropian ka rol facilitues duke ofruar asistencë bazuar në praktikat më të mira të Bashkimit Evropian në këtë fushë.
Selia e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi është në objektin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, në Beograd.
Mos lejimi i vizitës dhe mos ndarja e informacionit është shkelje e marrëveshjes së Brukselit.
Mandati i Zyrave, zyrtarëve është të përfshihet në çështje të cilat prekin qytetarët e vendeve respektive.