I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se një zgjidhje për 70 mijë qytetarët serbë në veri, duhet të gjendet. Ai ka thënë se marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duhet të zbatohet.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës në edicionin serbisht, Escobar ka thënë se institucionet e Kosovës qytetarëve serbe duhet t’u ofrojnë mbrojtje dhe t’u lejojë të marrin pjesë në jetën shoqërore, ekonomike dhe politike të Serbisë.
“Duhet të zbatohet dhe do të zbatohet… Nëse nuk merremi me çështjen e ASK-së, 70.000 banorët që jetojnë në veri të Kosovës mund të jenë sfidë. Ata janë në qendër të tensioneve, konflikteve, konfrontimeve dhe ne duhet të gjejmë një zgjidhje për ta. Institucionet e Kosovës duhet t’u ofrojnë mbrojtje, por duhet t’u lejohet të marrin pjesë në jetën shoqërore, ekonomike dhe politike të Serbisë. Nëse nuk e zgjidhim këtë çështje, do të jemi në krizë të vazhdueshme”, ka thënë Escobar.
Duke folur për marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, Escobar ka thënë se koha e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk varet nga SHBA, por nga evropianët. Ai ka deklaruar se skeleti i një marrëveshjeje mund të shihet në vitin e ardhshëm.
“A mund të realizohet ose jo deri në pranverën e ardhshme varet nga ritmi i negociatave dhe ritmi i takimeve, i cili nuk varet nga SHBA, por varet nga evropianët. Por unë mendoj se mund të fillojmë të shohim skeletin e një marrëveshjeje të dalë vitin e ardhshëm. Dhe unë do të doja ta shihja një gjë të tillë”, ka thënë Escobar. /GazetaExpress