I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të mërkurën se zbatimi i marrëveshjes Kosovë – Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, që u arrit në Ohër, fillon me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ai i bëri këto komente një ditë pas takimit të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, në të cilin palët mos mospajtimeve diskutuan për projekt statutin e Asociacionit, themelimi i të cilit kërkohet edhe me marrëveshjen e Ohrit, të cilën zoti Escobar e cilësoi ligjërisht të detyrueshme.
“Zbatimi fillon me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha zoti Escobar duke theksuar se brenda dy javësh kryenegociatorët e të dyja vendeve pritet të takohen për të diskutuar këtë çështje dhe të punojnë për një statut që funksionon.
“Ky proces është shumë i rëndësishëm dhe të dyja palët, posaçërisht Kosova, duhet ta marr seriozisht dhe të ecë përpara në mënyrë të përshpejtuar”, tha Escobar dukë nënvizuar se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë të përqendruar që marrëveshja e Ohrit të bëhet realitet dhe ky realitet bëhet me Asociacionin.
Ai tha se pati një përparim të vogël rreth themelimit të asociacionit në bisedimet e së martës, për të cilat shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell tha se ishin “një hap simbolik” rreth kësaj çështjeje.
Projekt statuti i Asociacionit i hartuar nga një ekip menaxhues që përbëhej nga katër pjesëtarë të komunitetit serb, të cilët janë liruar sot nga detyra me vendim të qeverisë së Kosovës, u refuzua nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili e cilësoi të papajtueshëm me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës por edhe vlerat evropiane.