I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se do të dëshironte që marrëveshja përfundimtare për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë të arrihej këtë vit.
“Mendoj që një gjë e tillë është plotësisht e mundur”, tha Escobar gjatë konferencës për media në Beograd.
“Kjo marrëveshje nuk është diçka për t’u frikësuar. Shpresojmë se nuk do të ndryshojë rrënjësisht jetën e askujt, por se do të mundësojë një nivel të caktuar stabiliteti dhe paqeje për njerëzit në rajon. Synimi i saj nuk është të krijojë pengesa të reja. E kundërta. Ne dëshirojmë që kjo marrëveshje të jetë e mirë jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por sepse Serbia dhe Kosova janë në zemër të Ballkanit Perëndimor, për të krijuar mundësi edhe për fqinjët tuaj”, tha Escobar.
Escobar foli në Beograd dy ditë para rundit të ri të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që pritet të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku palët do të bisedojnë për zbatimin e propozimit evropian.
I pyetur nëse pas vizitës së tij dhe të dërguarit të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, në Serbi, Escobar konfirmoi pozitivisht se formimi i Asociacionit i komunave me shumicë serbe është më afër sesa ishte një muaj më parë.
“Mund të them se bisedimet tona me Qeverinë e Kosovës po bëhen gjithnjë më produktive dhe realiste. Shpresoj se ne jemi shumë më afër kësaj sesa disa javë më parë”, deklaroi Escobar.