Ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë të Prokurorisë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Fillimisht dëshmitari bëri betimin se do ta thotë të vërtetën para trupit gjykues, derisa Gjykata njoftoi se dëshmia do të zgjasë të paktën pesë ditë.
Zyra e Prokurorisë së Specializuar i ka kërkuar 7 orë kohë për ta intervistuar dëshmitarin, mbrojtja e viktimave 15 minuta dhe mbrojtja e të akuzuarve 12 orë.
Ndërsa paraprakisht, Gjykata njoftoi se gjatë ditës do të lëshohet një vendim verbal për një çështje që ka të bëjë me të akuzuarin Thaçi.
Me të nisur dëshmia, procesi kaloi në seancë të mbyllur.
Ndryshe ky proces gjyqësor nisi dy vjet e gjysmë më vonë, pas mbajtjes në paraburgim në Hagë, të katër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Aktakuza e ZPS-së, e ngritur më 30 shtator të vitit 2022, i ngarkon Thaçin, Krasniqin, Veselin e Selimin me akuzat për ndërmarrje të përbashkët kriminele, vepër kjo që, sipas prokurorisë, e kishte “qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën, nëpërmjet metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë”, në periudhën midis marsit të vitit 1998 e shtatorit të vitit 1999, në vende të ndryshme të Kosovës.