Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier tha se Shtetet e Bashkuara nuk mbështesim absolutisht asnjë formë të përdorimit të forcës që mund të çojë në tensione të shtuara ose në konflikt të dhunshëm në Kosovë. Ai i bëri këto komente në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës, pas shqetësimeve për mundësinë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veriun e Kosovës në prag të marrjes se detyrës nga katër kryetarët e rinj të zgjedhur më 23 prill.
“Ne absolutisht nuk mbështesim asnjë përdorim të forcës që mund të rezultojë në tensione të shtuara ose në konflikt të dhunshëm. Zyrtarët e zgjedhur duhet të hyjnë vetëm në ndërtesat ku janë të mirëpritur. Vendndodhja brenda ndërtesës së komunës në të cilën zyrtarët e zgjedhur kryejnë ceremoninë e betimit nuk ndikon në statusin e tyre si zyrtarë të zgjedhur”, thuhet në përgjigjen e ambasadorit Hovenier.
Një muaj më parë autoritetet e Kosovës organizuan zgjedhjet për kryetarë të katër komunave të banuara me shumicë serbe në veri me gjithë refuzimin e subjekteve politike serbe që të marrin pjesë në proces pa themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Zbatimi i rezultatit të zgjedhjeve në terren ndërkaq nxiti shqetësimin e Bashkimit Evropian për mundësinë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veriun e Kosovës.
Ambasadori Hovenier tha se zgjedhjet e mbajtura më 23 prill ishin në pajtim me ligjet dhe kushtetutën e Kosvës, por…
“Nga këndvështrimi politik, megjithatë, duke pasur parasysh pjesëmarrjen e ulët, ne do të prisnim që kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale të merrnin një rol teknik dhe jo politik, duke parë kushtet e pazakonta në të cilat ata u zgjodhën”, tha ambasadori Hovenier duke bërë thirrje që të gjitha palët të veprojnë me përgjegjësi dhe përmbajtje dhe të ulin pikat e mundshme të tensionit.
Autoritetet në Kosovë thanë se nuk ka asnjë arsye të që të ketë tensione gjatë betimit të kryetarëve të rinj duke u bërë thirrje qytetarëve që jetojnë në këto komuna të mos bien pre e siç thanë propagandës. VOA